VENDIM Nr. 61, datë 6.9.2018
ikub# :1903070196
Vendim i BSH-se
Numri i fletores zyrtare: 133
Numri i ligjit: 61
Statusi i ligjit: Ne fuqi
06.09.2018 06.09.2018 06.09.2018
Fushat e veprimit te aktit: Investime
Propozuar nga: Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë
PËR DHËNIEN E MIRATIMIT PARAPRAK PËR BASHKIMIN ME PËRTHITHJE TË BANKËS AMERIKANE TË INVESTIMEVE SHA ME BANKËN NBG ALBANIA SHA

Në bazë dhe për zbatim të shkronjës “e”, të nenit 43, të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997, “Për Bankën e Shqipërisë”, të ndryshuar; të shkronjës “k”, të pikës 1, të nenit 24 dhe të shkronjës “gj”, të pikës 1, të nenit 28, të ligjit nr. 9662, datë 18.12.2006, “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; të rregullores “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së bankave dhe të degëve të bankave të huaja në Republikën e Shqipërisë”, miratuar me vendimin nr. 14, datë 11.3.2009, të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, e ndryshuar; të pikës 7 të Shtojcës nr. 1 të rregullores “Për përcaktimin e nivelit të vendimmarrjes në mbikëqyrjen e veprimtarive bankare dhe financiare”, miratuar me vendimin nr. 36, datë 26.5.2010, të Këshillit Mbikëqyrës, e ndryshuar; si dhe duke marrë në konsideratë kërkesën e Bankës Amerikane të Investimeve sh.a. dhe Bankës NBG Albania sh.a. prot. nr. 7893-18-AD, datë 28.8.2018, me propozim të Departamentit të Mbikëqyrjes, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë

VENDOSI:

1. Të japë miratimin paraprak për bashkimin me përthithje të Bankës Amerikane të Investimeve sh.a. (shoqëria përthithëse) me Bankën NBG Albania sh.a. (shoqëria e përthithur).

2. Të revokojë licencën e Bankës NBG Albania sh.a. (shoqëria e përthithur). Ky revokim hyn në fuqi pas çregjistrimit nga Qendra Kombëtare e Biznesit të Bankës NBG Albania sh.a. (shoqëria e përthithur), sipas nenit 220 të ligjit nr. 9901, datë 14.4.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, i ndryshuar. Banka Amerikane e Investimeve sh.a. (shoqëria përthithëse) duhet të dorëzojë në Bankën e Shqipërisë licencën e revokuar të Bankës NBG Albania sh.a. (shoqëria e përthithur), pas hyrjes në fuqi të revokimit.

3. Banka Amerikane e Investimeve sh.a. (shoqëria përthithëse) do të ushtrojë vetëm veprimtaritë bankare dhe financiare për të cilat është licencuar.

4. Banka Amerikane e Investimeve sh.a., në cilësinë e pjesëmarrësit në sistemet AIPS dhe AECH, me qëllim realizimin e procesit të bashkimit me përthithje nga ana operacionale, mban në këto sisteme edhe llogarinë e shlyerjes me nr. 2221049L në sistemin AIPS, e lidhur me llogarinë përkatëse teknike në sistemin AECH, deri në datën 30 qershor 2019. Banka Amerikane e Investimeve sh.a., në lidhje me këto llogari, duhet të përmbushë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga rregulloret e sistemeve AIPS dhe AECH.

5. Ngarkohen Departamenti i Mbikëqyrjes, Departamenti i Sistemit të Pagesave dhe i Kontabilitetit dhe Financës, Departamenti i Operacioneve Monetare, Departamenti i Teknologjisë së Informacionit, Departamenti i Stabilitetit Financiar, Departamenti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme; Departamenti i Emisionit dhe Departamenti i Statistikave, për ndjekjen e zbatimit të këtij vendimi.

6. Ngarkohen Kabineti i Guvernatorit dhe Departamenti i Kërkimeve për publikimin e këtij vendimi përkatësisht në Fletoren Zyrtare dhe në Buletinin Zyrtar të Bankës së Shqipërisë.

7. Ky vendim i njoftohet Agjencisë së Sigurimit të Depozitave. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. KRYETARI Gent Sejko

Copyright © 2006 -2020ikub.al shpk, All Rights Reserved