VENDIM Nr. 60, datë 6.9.2018
ikub# :1903070195
Vendim i BSH-se
Numri i fletores zyrtare: 133
Numri i ligjit: 60
Statusi i ligjit: Ne fuqi
06.09.2018 06.09.2018 06.09.2018
Fushat e veprimit te aktit: Miratimi Buxhetit
Propozuar nga: Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë
PËR DHËNIEN E MIRATIMIT PARAPRAK PËR BASHKIMIN ME PËRTHITHJE TË BANKËS INTESA SANPAOLO ALBANIA SHA ME VENETO BANKA SHA

Në bazë dhe për zbatim të shkronjës “e” të nenit 43 të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997, “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar; të shkronjës “k” të pikës 1 të nenit 24 dhe të shkronjës “gj” të pikës 1 të nenit 28 të ligjit nr. 9662, datë 18.12.2006, “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar; të rregullores “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së bankave dhe të degëve të bankave të huaja në Republikën e Shqipërisë”, miratuar me vendimin nr. 14, datë 11.3.2009, të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, e ndryshuar; dhe të pikës 7 të Shtojcës nr. 1 të rregullores “Për përcaktimin e nivelit të vendimmarrjes në mbikëqyrjen e veprimtarive bankare dhe financiare”, miratuar me vendimin nr. 36, datë 26.5.2010, të Këshillit Mbikëqyrës, e ndryshuar, me propozim të Departamentit të Mbikëqyrjes, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë,

VENDOSI:

1. Të japë miratimin paraprak për bashkimin me përthithje të Bankës Intesa Sanpaolo Albania sh.a. (shoqëria përthithëse) me Veneto Banka sh.a. (shoqëria e përthithur).

2. Të revokojë licencën e Veneto Banka sh.a. (shoqëria e përthithur). Ky revokim hyn në fuqi pas çregjistrimit nga Qendra Kombëtare e Biznesit të Veneto Banka sh.a. (shoqëria e përthithur), sipas nenit 220, të ligjit nr. 9901, datë 14.4.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar. Banka Intesa Sanpaolo Albania sh.a. (shoqëria përthithëse) duhet të dorëzojë në Bankën e Shqipërisë licencën e revokuar të Veneto Banka sh.a. (shoqëria e përthithur), pas hyrjes në fuqi të revokimit.

3. Banka Intesa Sanpaolo Albania sh.a. (shoqëria përthithëse) do të ushtrojë vetëm veprimtaritë bankare dhe financiare për të cilat është licencuar.

4. Ngarkohen Departamenti i Mbikëqyrjes, Departamenti i Sistemit të Pagesave dhe i Kontabilitetit dhe Financës, Departamenti i Operacioneve Monetare, Departamenti i Teknologjisë së Informacionit, Departamenti i Stabilitetit Financiar, Departamenti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, Departamenti i Emisionit dhe Departamenti i Statistikave, për ndjekjen e zbatimit të këtij vendimi.

5. Ngarkohen Kabineti i Guvernatorit dhe Departamenti i Kërkimeve për publikimin e këtij vendimi përkatësisht në Fletoren Zyrtare dhe në Buletinin Zyrtar të Bankës së Shqipërisë.

6. Ky vendim i njoftohet Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

KRYETARI

Gent Sejko

Copyright © 2006 -2020ikub.al shpk, All Rights Reserved