VENDIM Nr. 532, datë 11.9.2018
ikub# :1903070234
Vendim i KM
Numri i fletores zyrtare: 134
Numri i ligjit: 532
Statusi i ligjit: Ne fuqi
11.09.2018 11.09.2018 11.09.2018
Fushat e veprimit te aktit: Miratimi Buxhetit
Propozuar nga: Këshilli i Ministrave
PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR TREGTIMIN, TRANSPORTIN, RUAJTJEN DHE MAGAZINIMIN E PRODUKTEVE PËR MBROJTJEN E BIMËVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 20, të ligjit nr. 105/2016, “Për mbrojtjen e bimëve”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

I. QËLLIMI DHE PËRKUFIZIMET

1. Qëllimi i këtij vendimi është zbatimi i kërkesave ligjore dhe përcaktimi i rregullave e procedurës për tregtimin, transportin, ruajtjen dhe magazinimin e produkteve për mbrojtjen e bimëve të regjistruara.

2. Të gjithë termat e përcaktuar në këtë vendim kanë të njëjtin kuptim me ata të përcaktuar në ligjin nr. 105/2016, “Për mbrojtjen e bimëve”. Për efekt të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

a) “Import”, hyrja në territorin e Republikës së Shqipërisë të produkteve për mbrojtjen e bimëve (PMB) të regjistruara;

b) “Mjete mbrojtëse individuale (MMI)”, mjetet mbrojtëse që përdoren gjatë transportit, ruajtjes, tregtimit dhe përdorimit të PMB-ve. MMI-të janë dorezat mbrojtëse, veshjet mbrojtëse për trupin, maskat mbrojtëse për fytyrën, këpucët, që përdoren në të gjitha rastet, si dhe mbrojtëset e rrugëve të frymëmarrjes, që përdoren te PMB-të avulluese, si dhe në rastet e trajtimit te mjediset e mbyllura;

c) “Magazinë”, objekti i veçantë, që shërben për ruajtjen dhe shpërndarjen me shumicë të PMB-ve te njësitë e tregtimit me pakicë;

ç) “Magazinim”, koha e qëndrimit të PMB-ve në magazinë;

d) “Dokumenti i të dhënave të sigurisë (MSDS)”, informacioni për përdoruesin apo shpërndarësin, për rreziqet që mund të shkaktojë PMB-ja, si dhe për trajtimin, ruajtjen e asgjësimin e sigurt të saj. MSDS-ja lëshohet nga prodhuesi i PMB-së dhe e shoqëron PMB-në nga prodhimi deri te tregtimi me pakicë;

dh) “Drejtues teknik i tregtimit të PMB-ve”, personi fizik, i diplomuar në fushën e agronomisë, i punësuar me kohë të plotë, që përgjigjet për gjithë veprimtarinë teknike e profesionale;

e) “Njësi e tregtimit me shumicë”, njësia që shërben për tregtimin e PMB-ve te njësitë e tregtimit me pakicë;

ë) “Njësi e tregtimit me pakicë”, njësia që shërben për ruajtjen, shpërndarjen dhe prezantimin për shitje ose shitjen e drejtpërdrejtë të PMB-ve te përdoruesi i fundit;

f) “Recetë”, formati për përshkrimin e PMBsë, i printuar dhe i lëshuar nga specialisti i diplomuar agronom.

II. TREGTIMI ME SHUMICË I PRODUKTEVE PËR MBROJTJEN E BIMËVE

1. Në Republikën e Shqipërisë lejohet tregtimi me shumicë i PMB-ve të regjistruara.

2. Licenca e tregtimit me shumicë vendoset në një vend të dukshëm në njësinë e tregtimit me shumicë.

3. Çdo person i pajisur me licencë tregtimi me shumicë për PMB-të të klasifikuara “PMB të rrezikshme” dhe “PMB me rrezik të lartë” ka për detyrë:

a) Të hartojë një raport vjetor dhe ta paraqesë atë tek AKU-ja jo më vonë se muaji shkurt i vitit pasardhës, për sasinë dhe cilësinë e çdo PMB-je që ka importuar e hedhur në treg gjatë vitit të mëparshëm kalendarik;

b) të verë në dijeni AKU-në, me vetëdeklarim, për çdo efekt të dëmshëm te përdoruesi, mjedisi apo ekosistemi, njerëzit ose kafshët, që është vërejtur gjatë përdorimit, ekspozimit, përhapjes dhe shkarkimit të secilit PMB të importuar e të hedhur në treg.

4. Çdo person i pajisur me licencë tregtimi me shumicë, që kërkon të importojë PMB të klasifikuara “PMB të rrezikshme” dhe “PMB me rrezik të lartë”, duhet të njoftojë me parë SPMBnë për çdo ngarkesë. Njoftimi duhet të përmbajë të dhënat, si më poshtë vijon:

a) Emrin tregtar të PMB-së;

b) Numrin dhe datën e regjistrimit;

c) Emrin e lëndës/ve vepruese;

ç) Emrin e mbajtësit të dokumentit të regjistrimit (aplikantit);

d) Emrin e prodhuesit;

dh) Sasinë;

e) Vendin e origjinës, ku është prodhuar;

ë) Vendin nga importohet.

5. Njoftimi bëhet 1 deri në 3 ditë pune përpara datës së hyrjes së tyre në Republikën e Shqipërisë.

6. Inspektori i mbrojtjes së bimëve në pikat e kalimit kufitar (PIK), në zbatim të këtij vendimi, ka për detyrë:

a) Të kontrollojë e të verifikojë çdo parti PMB-je që hyn për t’u përdorur në Republikën e Shqipërisë dhe t’i evidentojë ato në një libër të veçantë, sipas shtojcës nr. 3 që i bashkëlidhet këtij vendimi;

b) Të ndalojë hyrjen në Republikën e Shqipërisë të PMB-ve të paregjistruara dhe kur vëren shkelje në lidhje me etiketimin e ambalazhimin e tyre.

7. Inspektimi i PMB-ve që ndodhen në treg, lidhur me plotësimin e kërkesave ligjore për tregtim, kryhet në bazë të planit vjetor të inspektimeve me bazë risku, të miratuar nga ministri. Kontrolli për cilësinë e PMB-ve të vendosura në treg kryhet në bazë të planit vjetor të marrjes dhe analizimit të mostrave, të miratuar nga ministri.

8. Analizat cilësore të PMB-ve kryhen nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), i cili njofton me shkrim AKU-në, brenda 10 ditëve, për rezultatin e analizave.

9. Marrja e mostrave dhe analizimi i tyre kryhen sipas pikave 1, 2, 3, 4 e 5, të nenit 38, të kreut V, të ligjit nr. 10433, datë 16.6.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.

III. TREGTIMI ME PAKICË I PRODUKTEVE PËR MBROJTJEN E BIMËVE

1. Në Republikën e Shqipërisë lejohet tregtimi me pakicë i PMB-ve të regjistruara.

2. Licenca e tregtimit me pakicë vendoset në një vend të dukshëm në njësinë e tregtimit me pakicë.

3. Njësitë e tregtimit me pakicë shërbejnë për shitjen e drejtpërdrejtë të PMB-ve te përdoruesi i fundit.

4. Të dhënat për PMB-të e klasifikuara “PMB të rrezikshme” ose “PMB me rrezik të lartë”, që mbahen nga njësitë e tregtimit me pakicë, janë sipas shtojcës nr. 2 që i bashkëlidhet këtij vendimi.

5. Çdo person i pajisur me licencë tregtimi me pakicë për PMB-të e klasifikuara “PMB të rrezikshme” dhe “PMB me rrezik të lartë” ka për detyrë të hartojë një raport vjetor dhe ta paraqesë atë tek AKU-ja jo më vonë se muaji janar i çdo viti, për sasinë dhe cilësinë e secilit PMB që ka hedhur në treg gjatë vitit të mëparshëm kalendarik.

6. Shitja e PMB-ve “helmuese” dhe PMB-ve “shumë helmuese” kryhet në bazë të recetës së lëshuar nga specialisti i diplomuar agronom.

7. Lëshuesi i recetës mban përgjegjësi, në rast plotësimi të pasaktë të saj, për dëmin e shkaktuar te bimët ose produktet bimore të trajtuara.

8. Ekzekutuesi i recetës mban përgjegjësi, në rast ekzekutimi të gabuar të saj, për dëmin e shkaktuar te bimët ose produktet bimore të trajtuara. Recetat ruhen në njësitë e tregtimit me pakicë për një periudhë 3-vjeçare.

9. Shitja e PMB-ve shumë helmuese lejohet vetëm për përdoruesit profesionistë, të cilët janë persona të diplomuar në fushën e agronomisë ose persona, të cilët i janë nënshtruar një trajnimi të përshtatshëm për përdorimin e PMB-ve shumë të rrezikshme dhe janë të pajisur me dëshmi aftësie të veçantë për këtë përdorim.

IV. TRANSPORTI I PRODUKTEVE PËR MBROJTJEN E BIMËVE

1. Transporti i PMB-ve të klasifikuara “PMB të rrezikshme” dhe “PMB me rrezik të lartë” kryhet sipas legjislacionit shqiptar në fuqi për transportin e mallrave dhe substancave të rrezikshme.

2. Mjetet që transportojnë PMB “helmuese” dhe “shumë helmuese” duhet të plotësojnë kërkesat teknike, si më poshtë vijon:

a) Të kenë shenjat dalluese, karakteristike, të tyre;

b) Hapësira e brendshme e mjetit duhet të jetë e pastër, e thatë, pa objekte që mund të dëmtojnë ambalazhin (gozhda apo pjesë të tjera metalike);

c) Mbulesa e mjetit duhet të jetë e padëmtuar dhe e papërshkueshme nga uji e ndriçimi diellor;

ç) Spondat dhe mbulesa duhet të kenë mbyllje shumë të mirë;

d) Për PMB-të e ndezshme, bazamenti i karrocerisë, spondat dhe mbulesa duhet të jenë prej hekuri, alumini ose të trajtuara me materiale të qëndrueshme ndaj zjarrit;

dh) Të kenë MMI specifike (doreza, rroba, maska, syze, këpucë ose çizme);

e) Të jenë të pajisura me mjetet kundër zjarrit;

ë) Të jenë të pajisura me materiale që neutralizojnë PMB-të e derdhura nga dëmtimi.

3. Ndalohet rreptësisht transporti i:

a) PMB-ve me mjete që trasportojnë njerëz dhe kafshë;

b) Ushqimeve për njerëz dhe kafshë së bashku me PMB-të.

4. Transporti i PMB-ve kryhet vetëm në ambalazhet e tyre origjinale.

5. Kur, gjatë transportit, dëmtohet ambalazhi dhe PMB-ja derdhet, mjeti i transportit duhet të ndalojë dhe drejtuesi i mjetit duhet të marrë masa për ndalimin e rrjedhjes e shmangien e dëmtimit/e ndotjes së mjedisit përreth. Për të thithur e dezaktivizuar lëngjet përdoren dherishte, tallash apo gëlqere, fshihet me kujdes dhe grumbullohet në një enë të veçantë PMB-ja e derdhur. Nxjerrja e tyre jashtë përdorimit bëhet në përputhje me legjislacionin për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Në rastin e dëmtimit aksidental të ambalazheve duhet të përdoren MMI (të paktën dorezat).

6. Mjetet e transportit të PMB-ve mund të përdoren për qëllime të tjera vetëm pasi të jenë pastruar mirë, larg qendrave të banuara, burimeve dhe kanaleve të ujit, lumenjve e ujëmbledhësve.

7. Ambalazhet më të rënda dhe/ose ato që përmbajnë PMB të lëngëta duhet të vendosen në shtresat e poshtme të ngarkesës.

8. PMB-ja, gjatë transportit, duhet të jetë e shoqëruar me MSDS-në përkatëse, edhe në gjuhën shqipe.

V. RUAJTJA DHE MAGAZINIMI I PRODUKTEVE PËR MBROJTJEN E BIMËVE

1. PMB-të ruhen në magazina, në rastin e tregtimit me shumicë dhe në mjediset e tregtimit me pakicë.

2. Magazinat ndërtohen ose përshtaten në mënyrë të tillë që të garantojnë ruajtjen e cilësive fiziko-kimike të PMB-ve brenda afateve të skadencës dhe të sigurojnë një nivel temperature të mjedisit ,sipas kërkesave të caktuara në etiketën e PMB-ve për ruajtjen dhe magazinimin e tyre. Për këtë qëllim, magazinat duhet të jenë të pajisura me sisteme ajrimi. Kushtet e magazinimit duhet të garantojnë, në çdo kohë, shëndetin dhe sigurinë e personelit të punësuar.

3. Miratimi për garantimin e funksionimit të magazinave të tregtimit me shumicë të PMB-ve jepet brenda 10 ditëve nga:

a) Inspektorati përgjegjës për shëndetësinë, në zbatim të legjislacionit për shëndetin publik;

b) Inspektorati përgjegjës për mjedisin, në zbatim të ligjit nr. 10448, datë 14.7.2011, “Për lejet mjedisore”, të ndryshuar;

c) Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH), në zbatim të ligjit nr. 152/2015, “Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”. AKU-ja kontrollon dokumentacionin e lëshuar sipas shkronjave “a”, “b” dhe “c”, të kësaj pike.

4. Kërkesat që duhet të plotësohen për magazinimin e PMB-ve janë si më poshtë vijon:

a) PMB-të duhet të jenë të identifikuara, nëpërmjet certifikatës së origjinës dhe të cilësisë;

b) Hyrja/dalja e PMB-ve nga magazina bëhet me dokumente të rregullta dhe shënimet përkatëse pasqyrohen në librin e magazinës, sipas shtojcës nr. 1 që i bashkëlidhet këtij vendimi;

c) PMB-të vendosen në palete të ndara nga njëra-tjetra, në një largësi jo më të vogël se 0.5m, të ambalazhuara në mënyrë të rregullt, në ambalazhe origjinale dhe me etiketat e miratuara, sipas dokumentit të regjistrimit të PMB-së;

ç) PMB-të e lëngëta vendosen në lartësi jo më të madhe se 3.5m, ndërsa PMB-të e ngurta vendosen në lartësi deri në 2.5 m.

5. Njësitë e tregtimit me pakicë të PMB-ve duhet të ndërtohen ose të përshtaten në mënyrë të tillë që të garantojnë ruajtjen e cilësive fizikokimike të tyre, të sigurojnë një nivel temperature mjedisi, sipas kërkesave të caktuara në etiketën e PMB-ve për ruajtjen e tyre. 6. Kur, gjatë ruajtjes së PMB-ve në magazina ose njësitë e tregtimit me pakicë ndodhin dëmtime të ambalazheve dhe rrjedhje të PMB-ve, ato largohen menjëherë nga magazina dhe njësia e tregtimit dhe asgjësohen sipas rregullave në fuqi.

7. Nëse PMB-të, brenda ambalazheve të dëmtuara, janë në gjendje të mirë, ato futen në ambalazhe me etiketa origjinale, në prani të AKU-së. Ky veprim shoqërohet me mbajtjen e një procesverbali, në dy kopje, për të mënjanuar abuzimet që mund të ndodhin me riambalazhimin e PMB-ve në këto mjedise.

8. Përdoruesit e fundit i ruajnë PMB-të në mjedise të veçanta, si: kasaforta, dhoma, depo të siguruara nga hapjet e paautorizuara, në ambalazhe origjinale, larg fëmijëve, në kushte të thata, larg zjarrit, të mbrojtura nga rrezet e drejtpërdrejta të diellit, si dhe duke respektuar të gjitha udhëzimet e veçanta që jepen në etiketë.

9. AKU-ja informon me shkrim:

a) Drejtorinë përgjegjëse për statistikat në ministri dhe SPMB-në, brenda muajit mars të çdo viti, për sasinë e secilit PMB që është importuar dhe është tregtuar gjatë vitit të mëparshëm kalendarik, sipas shtojcave nr. 4 e nr. 5, që i bashkëlidhen këtij vendimi;

b) SPMB-në, për probleme të veçanta që kanë lidhje me kontrollin e PMB-ve;

c) SPMB-në, për çdo efekt të dëmshëm te përdoruesi, mjedisi apo ekosistemi, njerëzit ose kafshët, që është vërejtur gjatë përdorimit, ekspozimit, përhapjes, shkarkimit ndaj secilit PMB të importuar e të hedhur në treg, bazuar në vetëdeklarimin, sipas shkronjës “b”, të pikës 3, të kreut II, të këtij vendimi.

VI. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Vendimi nr. 1188, datë 20.8.2008, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave për importimin, tregtimin, transportin, ruajtjen, përdorimin dhe asgjësimin e produkteve për mbrojtjen e bimëve”, i ndryshuar, shfuqizohet, me përjashtim të krerëve V, VI e VIII, si dhe të shtojcave 10, 11 e 12, të cilat mbeten në fuqi deri në nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të ligjit nr. 105/2016, “Për mbrojtjen e bimëve”.

2. Ngarkohet Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

Senida Mesi

Copyright © 2006 -2020ikub.al shpk, All Rights Reserved