UDHËZIM Nr. 29, datë 10.9.2018
ikub# :1903070177
Udhëzim
Numri i fletores zyrtare: 133
Numri i ligjit: 29
Statusi i ligjit: Ne fuqi
10.09.2018 10.09.2018 10.09.2018
Fushat e veprimit te aktit: Arsim
Propozuar nga: Këshilli i Ministrave
PËR VEPRIMTARINË DHE NGARKESËN MËSIMORE TË PERSONELIT AKADEMIK NË INSTITUCIONET E ARSIMIT TË LARTË

Në mbështetje të nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të nenit 59, pika 8, të ligjit nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë

UDHËZON:

I. VEPRIMTARIA QË KRYEN PERSONELI AKADEMIK NË INSTITUCIONET E ARSIMIT TË LARTË

1. Qëllimi i këtij udhëzimi është përcaktimi i veprimtarisë dhe i ngarkesës së plotë mësimore vjetore të personelit akademik në institucionet e arsimit të lartë (IAL).

2. Personeli akademik në IAL, ushtron veprimtarinë e tij sipas përcaktimeve të këtij udhëzimi, si dhe statutit dhe rregulloreve të IAL-së.

3. Veprimtaritë që kryen personeli akademik në IAL, janë:

a) Mësimdhënie; b) Kërkimi shkencor ose artistik;

c) Kontribut institucional;

d) Kontribut profesional.

4. Mësimdhënia përfshin:

a) Veprimtarinë në auditor si vijon: i. Leksione. ii. Seminare. iii. Lëndë speciale. iv. Ushtrime. v. Laboratorë. vi. Projekte kursi. vii. Detyrë kursi. viii. Atelier. ix. Praktika klinike. x. Praktika profesionale artistike.

b) Veprimtari jashtë auditorit, në mbështetje të procesit mësimor si vijon: i. Ndjekje dhe/ose drejtim i praktikës mësimore ose profesionale. ii. Konsultime/këshillim studentësh. iii. Udhëheqje diplome të ciklit të parë, të dytë dhe të tretë. iv. Kontroll i dijeve (provime, kolokuiume). v. Përgatitje individuale. vi. Ekspozitë, garë dhe shfaqje. vii. Recensë punimi diplome cikli i tretë i studimeve.

c) Kontributi në kërkimin shkencor dhe krijimtarinë artistike, përfshin: i. Kërkim dhe/ose veprimtari krijuese. ii. Pjesëmarrje në programe kërkimore kombëtare dhe ndërkombëtare, konferenca, seminare, kongrese, workshop-e, krijimtari artistike në salla të indeksuara etj. iii. Publikim monografish, artikujsh apo punimesh shkencore të natyrave të ndryshme në periodikë apo serial botimesh shkencore (joperiodike) me komitet shkencor vlerësues dhe drejtues.

d) Pjesëmarrje në borde revistash shkencore apo serial botimesh shkencore (joperiodike) apo veprimtari të tjera formuese të ciklit të tretë të studimit; i. Udhëheqje në programe doktorale apo veprimtari të tjera formuese të ciklit të tretë të studimit etj. ii. Përgatitja e projekteve dhe ndjekja e procesit të aplikimit në kuadër të thirrjeve kombëtare dhe ndërkombëtare.

e) Kontributi institucional, përfshin veprimtaritë akademike dhe administrative në mbështetje të njësive bazë, njësive kryesore, institucionit dhe administratës publike, si vijon: i. Hartimi programeve të studimit. ii. Hartim i rregulloreve apo dokumentacioneve. iii. Përgatitje botimesh universitare. iv. Pjesëmarrje në komisionet ad hoc. v. Pjesëmarrje në veprimtarinë e organeve të njësisë bazë, njësisë kryesore dhe IAL-së.

f) Pjesëmarrje në grupe pune të ngritura nga institucione të administratës publike.

g) Kontributi profesional, përfshin: i. Veprimtari për zhvillim dhe transferim teknologjie dhe/ose shërbime të tjera të lidhura me të; ii. Ekspertizë; iii. Përhapje të njohurive shkencore e teknologjike në mbështetje të mësimdhënies; iv. Angazhim si krijues artistik në lidhje me përfshirjen e studentëve.

h) Trajnim për transferime të teknologjisë, të shkencës dhe inovacionit në mësimdhënie; j) Hartim projektesh kombëtare dhe ndërkombëtare.

k) Angazhim si ekspert në grupe pune të ngritura me urdhër ministri apo Kryeministri, si dhe në nivel rajonal, bashkitë dhe qarqet administrative.

II. NGARKESA MËSIMORE VJETORE PËR PERSONELIN AKADEMIK NË INSTITUCIONET E ARSIMIT TË LARTË

1. Ngarkesa mësimore vjetore për personelin akademik me kohë të plotë në auditor brenda IAL është:

a) Kategoria profesor 140 orë në auditor;

b) Kategoria lektor 165 orë në auditor;

c) Asistent-lektor 195 orë në auditor. Çdo orë e realizuar në auditor mbi këtë përcaktim është orë suplementare e cila përllogaritet sipas koeficientëve dhe paguhet e plotë nga IAL-të. Orët suplementare në auditor nuk mund të jenë më shumë se 200 orë. Në raste specifike me propozim të drejtuesit të njësisë bazë dhe miratim të drejtuesit të njësisë kryesore, personeli akademik me kohë të plotë mund të mbulojë edhe 100 orë në auditor mbi limitin 200 orë. Personeli akademik me kohë të plotë nëse kategorizohet me orientim kërkimor sipas procedurave të parashikuara nga IAL të cilat evidentojnë out-putin kërkimor të personelit akademik mund të ketë ulje të detyrimit të ngarkesës mësimore në auditor deri në 35% sipas përcaktimeve në aktet e brendshme të IAL-së. Orët suplementare në auditor për personelin akademik me orientim kërkimor nuk mund të jenë më shumë se 100 orë.

2. Personeli akademik me kohë të pjesshme mund të mbulojë ngarkesën vjetore në auditor:

a) Kategoria profesor 120 orë në auditor.

b) Kategoria lektor 120 orë në auditor.

c) Asistent-lektor 120 orë në auditor. Personeli akademik me kohë të pjesshme nuk mund të ketë orë suplementare. Ky personel paguhet deri në ngarkesën maksimale të përcaktuar në auditor. Personeli akademik mund të përfshihet në veprimtari të tjera të cilat sipas përcaktimeve kanë kompensim financiar dhe nuk llogariten në limitet e orëve në auditore.

3. IAL-të mund të angazhojnë dhe personel akademik me kohë të pjesshme të dedikuar në veprimtari të kërkimit shkencor i cili nuk ka detyrim mësimdhënien, por që kontribuon në kërkimin shkencor sipas përcaktimeve në pikën 5 të këtij udhëzimi.

4. Personeli akademik me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme, mund të përfshihet në grupet e punës për hartimin dhe aplikimin e projekteve të financuara nga programet e Bashkimit Evropian. Ngarkesa e paguar për përfshirjen në këto grupe pune është deri në 200 orë/projekte në vit (kjo ngarkesë nuk përfshihet në llogaritjet e orëve maksimale të pikës 8 të këtij udhëzimi). Për shkrimin e projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian, grupit të punës i njihen deri në 350 orë, të cilat ndahen ndërmjet anëtarëve të grupit të punës, i cili është angazhuar për përgatitjen e projektit. Projekti përcakton si institucion menaxhues të tij, IAL-në për të cilën grupi i punës po angazhohet. Grupi i punës miratohet nga drejtuesi i njësisë bazë dhe kryesore. Orët certifikohen vetëm pasi projekti ka certifikim formal të dorëzimit dhe merren komentet për sa i përket cilësisë së projektit, në rast se ai nuk rezulton fitues ose kur projekti rezulton fitues.

5. Për autoritetet drejtuese të IAL-ve publike, mësimdhënia vjetore në auditor është:

a) Rektor 50 orë mësimor.

b) Zëvendësrektor 60 orë mësimore.

c) Dekan 70 orë mësimore.

d) Zëvendësdekan 90 orë mësimore.

e) Përgjegjës departamenti 90 orë mësimore. 6. Ngarkesa e plotë mësimore vjetore e personelit akademik me kohë të plotë nuk mund të përmbajë në një vit akademik më shumë se 3 lëndë semestrale në bazë të programeve të përcaktuara nga njësia bazë, të shpërndarë në dy semestra, ose 2 lëndë vjetore dhe 1 semestrale, ose 3 lëndë vjetore.

7. Ngarkesa e plotë mësimore vjetore e një anëtari të personelit akademik me orientim kërkimor-shkencor nuk mund të përmbajë në një vit akademik më shumë se 2 lëndë semestrale në bazë të programeve të përcaktuara nga njësia bazë, sipas përcaktimit të programeve të lëndës ose 2 lëndë vjetore.

8. Doktorantët me kohë të plotë dhe që frekuentojnë vitin e dytë ose të tretë të studimeve të doktoratës mund të angazhohen në aktivitete mësimdhënëse mbështetëse jashtë auditorit sipas përcaktimeve të pikave “i” dhe “ii”, të pikës 4, germa “b”, si dhe në aktivitetet kërkimore sipas përcaktimeve të pikës 5, me përjashtim të pikës 5, germa “d”. Angazhimi i doktorantëve në aktivitetet mësimdhënëse të sipërcituara kryhet në kuadër të parashikimeve të programit përkatës të doktoratës nën mbikëqyrjen e udhëheqësit të doktoratës dhe sipas nevojave të njësisë bazë dhe asaj kryesore.

9. Ngarkesa e plotë mësimore vjetore e një anëtari të personelit akademik mund të reduktohet me propozim të njësisë bazë, aprovim nga njësia kryesore dhe me miratim nga bordi administrimit në rastin e përfitimit të një burse studimi jo më pak se 1-mujore, si dhe në raste të veçanta të angazhimeve në kuadër të kontributit institucional.

10. Një orë mësimdhënie në auditor zgjat 50 minuta.

11. IAL-ja përcakton në rregulloret e brendshme politikat e shpërblimit sipas funksioneve që kryhen nga personeli akademik, personeli ndihmësakademik dhe ai administrativ. Këto politika miratohen nga bordi administrimit. 12. Elementet e veprimtarive jashtë auditorit në ndihmë të procesit mësimor në IAL-të publike, njehsohen në orë si vijon:

a) Provime/mbrojtje teze diplome: 0.4/0.5 orë/student.

b) Kontrolle të pjesshme të programuara të dijeve: 0.25 orë/student.

c) Udhëheqje teze diplome cikli I/II/III: 10/20/30 orë diplomë.

ç) Udhëheqje teze doktorate: 80 orë/vit. d) Mbikëqyrje e projekteve të kursit 1 orë/ projekt.

dh) Mbikëqyrje e detyrave të kursit 0.3 orë/ detyrë.

e) Ndjekje dhe/ose drejtim i praktikave mësimore ngarkesa e përllogaritur si më poshtë: 1 ditë pune në praktikë është 5-orëshe; praktika në terren dhe praktika mësimore profesionale, grupi mësimor duhet të jetë jo më i madh se 20 studentë; 1 orë ushtrime (mësime praktike) të moduleve/lëndëve sportive është 0.8 orë. Për orët e ushtrimeve (mësime praktike) të moduleve/lëndëve në arte, grupi mësimor duhet të jetë jo më i madh se 15 studentë. Për orët e ushtrimeve (mësime praktike) të moduleve/lëndëve sportive, që zhvillohen në terren sportiv, palestër grupi mësimor duhet të jetë jo më i madh se 18 studentë.

ë) Përgatitje shfaqjeje, ekspozitë, koncerte, garë: 10–30 orë/shfaqje.

f) Recensë teze diplome cikli I/II/III: 5/10/15 orë/recensë. g) Oponencë teze doktorate: 25 orë/ oponencë. gj) Pjesëmarrje në juri doktorate: i. Kryetar 15 orë; ii. Anëtar 10 orë. h) Konsultime të programuara deri në 30 orë në vit. i) Kolokuiume - 1 në semestër 0.15 orë/ student. III. DISPOZITA TË FUNDIT 1. Çdo anëtar i personelit akademik i punësuar me kohë të plotë në IAL duhet të përmbushë detyrimet për kohën vjetore të punës prej 1536 orë.

2. Personeli akademik, i cili angazhohet në veprimtaritë e parashikuara në pikën 12, germat “c”, “ç”, “e”, “g” dhe “gj”, paguhet për ngarkesën e parashikuar si orë suplementare.

3. Çdo angazhim i personelit akademik në IAL, në veprimtari të pagueshme dhe që nuk është parashikuar dhe miratuar në buxhetin vjetor të IAL-së, duhet të marrë përpara ushtrimit të veprimtarisë miratimin e bordit të administrimit të IAL-së.

4. Personeli akademik angazhohet në veprimtari mësimdhënëse, kërkimore-shkencore, artistike krijuese apo veprimtari të tjera, sipas profilit të kualifikimit të tij akademik dhe kontratës së punës të lidhur me IAL-në.

5. Në institucionet jopublike të arsimit të lartë ngarkesa minimale përcaktohet nga vetë institucioni, ndërsa ngarkesa maksimale nuk mund të tejkalojë kohën e punës së përcaktuar në Kodin e Punës.

6. Udhëzimi nr. 20, datë 9.5.2008, i ministrit të Arsimit dhe Shkencës “Për veprimtarinë e personelit akademik në institucionet publike të arsimit të lartë”, i ndryshuar, shfuqizohet. 

7. Ngarkohen për zbatimin e këtij udhëzimi Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Qendra e Shërbimeve Arsimore, Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, Agjencia Kombëtare për Financimin e Arsimit të Lartë, si dhe institucionet e arsimit të lartë.

Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

MINISTRI I ARSIMIT, SPORTIT DHE RINISË

Lindita Nikolla

Copyright © 2006 -2020ikub.al shpk, All Rights Reserved