UDHËZIM Nr. 28, datë 7.9.2018
ikub# :1903070124
Udhëzim
Numri i fletores zyrtare: 133
Numri i ligjit: 28
Statusi i ligjit: Ne fuqi
07.09.2018 07.09.2018 07.09.2018
Fushat e veprimit te aktit: Arsim
Propozuar nga: Ministri i Arsimit dhe Shkencës
PËR DISA NDRYSHIME NË UDHËZIMIN NR. 12, DATË 27.4.2015 “PËR MBLEDHJEN, PËRPUNIMIN DHE MBROJTJEN E TË DHËNAVE PERSONALE TË PUNONJËSVE ARSIMORË TË INSTITUCIONEVE ARSIMORE PARAUNIVERSITARE DHE TË NXËNËSVE, SI DHE PËR PËRMBAJTJEN E DOSJEVE TË TYRE PERSONALE”

Në mbështetje të neneve 15, 58 dhe 102, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të ligjit nr. 9887, datë 10.3.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, të ndryshuar, dhe të neneve 66, 67, të ligjit nr. 69/2012, datë 21.6.2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar,

UDHËZOJ:

1. Titulli i udhëzimit nr. 12, datë 27.4.2015, ndryshon si vijon: “Për mbledhjen, përpunimin dhe mbrojtjen e të dhënave personale të punonjësve arsimorë dhe nxënësve në institucionet arsimore të sistemit parauniversitar, përmbajtjen e dosjeve të tyre personale, si dhe për mbledhjen, përpunimin dhe mbrojtjen e të dhënave kontaktuese të prindërve/kujdestarëve ligjorë të nxënësve”. 2. Në kreun I bëhen këto ndryshime:

a) Pika 1 ndryshon si vijon: “1. Objekti i udhëzimit Ky udhëzim ka për objekt përcaktimin e procedurave organizative e teknike dhe masave për mbledhjen, përpunimin dhe mbrojtjen e të dhënave personale nga institucionet arsimore parauniversitare (kopshte/shkolla) për punonjësit e tyre arsimorë (drejtori, nëndrejtori, mësuesi), për nxënësit e tyre (subjektet), si dhe për përmbajtjen e dosjeve personale të këtyre subjekteve. Gjithashtu, ka për objekt përcaktimin e procedurave organizative e teknike dhe masave për mbledhjen, përpunimin dhe mbrojtjen e të dhënave kontaktuese të prindërve/kujdestarëve ligjorë të nxënësve”.

b) Në pikën 2 shtohet germa “f” si vijon: “f) Prind/kujdestar ligjor” është personi/ personat që janë prindër biologjikë të nxënësit ose kujdestar/përfaqësues ligjor që ushtrojnë të drejtat dhe detyrimet prindërore të përcaktuara me ligj.”.

c) Pika 3, germa “a”, ndryshon si vijon: “a) Mbledhja e të dhënave personale për kategoritë e subjekteve të të dhënave personale (mësues, drejtues, nxënës dhe prindër/kujdestar ligjor) ka për qëllim të bëjë të mundur një organizim më efektiv të punës së institucioneve arsimore me synim arritjen e rezultateve më të larta”. 

d) Pika 3, germa “d”, ndryshon si vijon: “d) Mblidhen ato të dhëna personale të punonjësve arsimor, nxënësve dhe të dhënat kontaktuese të prindërve/kujdestarëve ligjorë, të cilat janë të domosdoshme për realizimin e qëllimeve të parashikuara në shkronjat/germat “a” dhe “b” të kësaj pike dhe që nuk tejkalojnë këtë qëllim”. e) Në pikën 6, pas germës “b” shtohet germa “b/1”, si vijon: “b/1 Të dhëna kontaktuese të prindërve/kujdestarëve ligjorë të jenë: emër, mbiemër, bashkia, shkolla, numri i telefonit dhe adresa e e-mail-it”.

3. Pas kreut III, shtohet kreu III/1, si vijon: “Kreu III/1 Të dhënat kontaktuese të prindit/kujdestarit ligjor” “Të dhënat kontaktuese të prindit/kujdestarit ligjor, përmbajnë informata sipas shtojcës 4, bashkëlidhur dhe pjesë e këtij udhëzimi dhe plotësohet sipas udhëzimit “Për plotësimin e të dhënave kontaktuese të prindit/kujdestarit ligjor”, shtojca 5, bashkëlidhur dhe pjesë e këtij udhëzimi.”.

4. Në kreun IV, pas pikës 1, shtohet pika 1/1 me këtë përmbajtje: “1/1 Përcaktimet e këtij udhëzimi të reflektohen në të gjitha rregulloret e brendshme të institucioneve të varësisë.”

5. Ngarkohet për zbatimin e këtij udhëzimi Sekretari i Përgjithshëm, Drejtoria e Përgjithshme e Politikave të Zhvillimit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, njësitë arsimore vendore dhe institucionet arsimore parauniversitare.

Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

MINISTRI I ARSIMIT, SPORTIT DHE RINISË

Lindita Nikolla

Copyright © 2006 -2020ikub.al shpk, All Rights Reserved