UDHËZIM I PËRBASHKËT Nr. 33, datë 30.8.2018
ikub# :1903070109
Udhëzim
Numri i fletores zyrtare: 132
Numri i ligjit: 33
Statusi i ligjit: Ne fuqi
30.08.2018 30.08.2018 30.08.2018
Fushat e veprimit te aktit: Tarifat
Propozuar nga: Ministri i Ekonomise,Ministri i Drejtësisë
PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË UDHËZIMIN E PËRBASHKËT NR. 1276/6, DATË 27.7.2017, “PËR PËRCAKTIMIN E NIVELIT MINIMAL DHE MAKSIMAL TË ZBATIMIT TË VLERËS SË TARIFËS SË SUKSESIT PËR VEPRIMET PËRMBARIMORE TË OFRUARA NGA SHËRBIMI PËRMBARIMOR GJYQËSOR SHTETËROR”

Në mbështetje të nenit 102, pika 4, të Kushtetutës, si dhe të neneve 12 dhe 12/b, të ligjit nr. 8730, datë 18.1.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror”, të ndryshuar, ministri i Drejtësisë dhe ministri i Financave dhe Ekonomisë UDHËZOJNË: Në udhëzimin e përbashkët nr. 1276/6, datë 27.7.2017, “Për përcaktimin e nivelit minimal dhe maksimal të zbatimit të vlerës së tarifës së suksesit për veprimet përmbarimore të ofruara nga Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror”, bëhen këto ndryshime:

I. Në seksionin II: 1. Në pikën 7, togfjalëshi “... tarifës së suksesit i ngarkohet TVSH-ja...”, zëvendësohet me togfjalëshin “... mbi tarifën e suksesit aplikohet TVSH-ja”.

II. Në seksionin III: 1. Pika 1 ndryshon me këtë përmbajtje: “1. Kur titulli ekzekutiv përmban një detyrim monetar, pala kreditore dhe subjekti përmbarues, sipas vullnetit të tyre, mund të parashikojnë në marrëveshje masën e tarifës së suksesit, por në çdo rast kjo tarifë nuk mund të jetë më e vogël se 1% dhe jo më e madhe se 20% e vlerës së ekzekutuar të detyrimit. Në rast të marrjes pjesë në ekzekutim edhe të kreditorëve të tjerë të po atij debitori, secili prej tyre ka të drejtë të përcaktojë se cila do të jetë vlera e tarifës së suksesit.”.

2. Pika 3 ndryshon me këtë përmbajtje: “3. Tarifa e suksesit e caktuar në marrëveshje ndërmjet kreditorit dhe përmbaruesit gjyqësor shtetëror, kur titulli ekzekutiv përmban një detyrim monetar në vlerë:

a) Deri në 500,000 lekë nuk mund të jetë më e vogël se 1% dhe jo më e madhe se 20% e vlerës totale të detyrimit të vjelë ose titullit të ekzekutuar, ose kombinimit të të dyjave;

b) Mbi 500,000 lekë deri në 90,000,000 lekë nuk mund të jetë më e vogël se 1% dhe jo më e madhe se 10% e vlerës totale të detyrimit të vjelë ose titullit të ekzekutuar, ose kombinimit të të dyjave;

c) Mbi 90,000,000 lekë nuk mund të jetë më e vogël se 1% dhe jo më e madhe se 5% e vlerës totale të detyrimit të vjelë ose titullit të ekzekutuar dhe/ose vendimit të ndërmjetëm të ekzekutuar ose kombinimit të të dyjave, por jo më shumë se 10,000,000 lekë.”.

3. Pas pikës 3 shtohen pikat 4, 5 dhe 6, me përmbajtje si vijon: “4. Tarifa e suksesit paguhet në çdo rast nga kreditori në përfundim të procesit të ekzekutimit ose në përfundim të veprimeve të caktuara, sipas kushteve dhe afateve të përcaktuara në kontratën e nënshkruar nga kreditori dhe përmbaruesi gjyqësor shtetëror kur kanë dakordësuar zbatimin e tarifës së suksesit për titullin ekzekutiv në fjalë.

5. Në çdo rast, mbi tarifën e suksesit aplikohet TVSH-ja, e cila llogaritet në momentin e pagesës dhe vetëm për atë pjesë që arkëtohet nga përmbaruesi gjyqësor, bazuar në kushtet dhe afatet e përcaktuara në marrëveshje. 6. Tarifa e suksesit, e përllogaritur dhe e faturuar pjesërisht apo plotësisht nga përmbaruesi gjyqësor, paguhet nga kreditori dhe nuk i ngarkohet debitorit.”.

III. Në seksionin IV: 1. Pika 2 ndryshon me këtë përmbajtje: “2. Bazuar në kriteret si më sipër treguar, tarifa e suksesit për veprime përmbarimore të kryera do të jetë një vlerë monetare, e cila nuk mund të jetë më pak se 1,000 (një mijë) lekë dhe jo më shumë se 100,000 (njëqind mijë) lekë.”.

IV. Zbatimi i udhëzimit dhe hyrja në fuqi

Ky udhëzim rregullon marrëdhëniet midis palës kreditore dhe subjektit përmbarues, të lindura pas hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi.

Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. MINISTRI I DREJTËSISË Etilda Gjonaj (Saliu)

MINISTRI I FINANCAVE DHE EKONOMISË

Arben Ahmetaj

Copyright © 2006 -2020ikub.al shpk, All Rights Reserved