LIGJ Nr. 39/2018
ikub# :1903070198
Ligj
Numri i fletores zyrtare: 134
Numri i ligjit: 39
Statusi i ligjit: Ne fuqi
09.07.2018 09.07.2018 09.07.2018
Fushat e veprimit te aktit: Miratimi Buxhetit
Propozuar nga: Kuvendi Popullor
PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 8438, DATË 28.12.1998, “PËR TATIMIN MBI TË ARDHURAT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa: Neni 1 Në nenin 8/1, pika 11, paragrafi i parë ndryshohet si më poshtë: “11. Të ardhurat e realizuara nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi tokën bujqësore nga një fermer i regjistruar te një fermer tjetër apo një person fizik a juridik që kryen aktivitet bujqësor. Përjashtohen, gjithashtu, rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë brenda lidhjes gjinore burrë, grua, fëmijë, nëpërmjet dhurimit dhe/ose heqjes dorë nga pasuria, kur pasuria rrjedh nga bashkëpronësia e detyrueshme e fituar në bazë të ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, të ndryshuar.”.

Neni 2

Në nenin 11, pika 1, ndryshohet si më poshtë: “1. Fitimi kapital i realizuar si rezultat i kalimit të së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, ndërtesë, truall dhe tokë bujqësore, tatohet me normën 15 për qind. Shkëmbimi i truallit me sipërfaqe ndërtimi, në bazë të një kontrate shkëmbimi, nuk përbën moment për llogaritje të ndonjë fitimi kapital nga transferimi i pasurisë së paluajtshme.”.

Neni 3

Në nenin 20, paragrafët e tretë dhe të katërt shfuqizohen.

Neni 4

Në nenin 28 bëhen ndryshimet e mëposhtme: 1. Pika 1 ndryshohet si më poshtë: “1. Shkalla e tatimit mbi fitimin është: - 5 % për tatimpaguesit me të ardhura deri në 14 000 000 lekë në vit. - 15 % për tatimpaguesit me të ardhura mbi 14 000 000 lekë në vit.”.

2. Pas pikës 2 shtohen pikat 3 dhe 4 me këtë përmbajtje: “3. Për personat juridikë, të cilët zhvillojnë veprimtari ekonomike sipas ligjit nr. 38/2012, “Për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor”, shkalla e tatimit mbi fitimin është 5 %.

4. Për subjektet, të cilat zhvillojnë veprimtari pritëse të certifikuar si “agroturizëm”, sipas legjislacionit në fuqi në fushën e turizmit, shkalla e tatimit mbi fitimin është 5 %. Kjo shkallë aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për personat juridikë që përfitojnë statusin “subjekt i certifikuar agroturizmi”, deri më 31 dhjetor 2021. Aplikimi i shkallës së reduktuar fillon në vitin tatimor pasardhës, pas përfitimit të statusit “subjekt i certifikuar agroturizmi.”.

Neni 5

Në nenin 33/1 bëhen ndryshimet si më poshtë: 1. Në pikën 2 hiqen fjalët “dhe personat fizikë”,“/vendimin e personit fizik”, si dhe “për çdo muaj vonesë”. 2. Në pikën 4 hiqen fjalët “/vendimi i personit fizik”.

Neni 6

Në nenin 38, pika 7, paragrafi i dytë ndryshohet si më poshtë: “Tatimi mbi lojërat e fatit, sipas nenit 52/2, të ligjit nr. 155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, aplikohet me shkallën 15 % mbi të ardhurat bruto nga loja për të gjitha kategoritë e lojërave të fatit, përfshirë Lotarinë Kombëtare të licencuar sipas ligjit nr. 95/2013. E ardhura bruto nga loja është shuma e mbetur organizatorit nga diferenca midis shumës totale të luajtur nga lojtarët në lojërat e fatit dhe shumës së fituar prej tyre. Tatimi mbi fitimin llogaritet në përputhje me dispozitat e këtij ligji.”.

Neni 7

Dispozitë kalimtare Neni 2, që ndryshon nenin 20, “Shpenzime të njohura”, të ligjit, nuk do të zbatohet për kontratat e shkëmbimit që janë regjistruar në ZRPP para datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Neni 8

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, me përjashtim të nenit 3, i cili hyn në fuqi më 1 janar 2019.

KRYETARI

Gramoz Ruçi

Copyright © 2006 -2020ikub.al shpk, All Rights Reserved