VENDIM Nr. 518, datë 4.9.2018
ikub# :1903050093
Vendim i KM
Numri i fletores zyrtare: 132
Numri i ligjit: 518
Statusi i ligjit: Ne fuqi
04.09.2018 04.09.2018 04.09.2018
Fushat e veprimit te aktit: Procedurë Tatimore
Propozuar nga: Këshilli i Ministrave
PËR SHËRBIMET E KUJDESIT SHOQËROR KOMUNITAR E REZIDENCIAL, KRITERET, PROCEDURAT PËR PËRFITIMIN E TYRE DHE MASËN E SHUMËS PËR SHPENZIME PERSONALE PËR PËRFITUESIT E SHËRBIMIT TË ORGANIZUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5, të nenit 8, të pikës 5, të nenit 15, dhe të pikës 3, të nenit 23, të ligjit nr. 121, datë 21.11.2016, “Për shërbimet e kujdesit shoqëror në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

I. FUSHA E VEPRIMIT

1. Ky vendim përcakton:

a) Kriteret dhe procedurat për përfitimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror komunitar e rezidencial sipas llojit të shërbimit dhe kategorisë përkatëse të përfituesit;

b) Masën e shumës për shpenzime personale për përfituesit e shërbimit të organizuar.

II. SHËRBIMET E KUJDESIT SHOQËROR KOMUNITAR E REZIDENCIAL

2. Shërbimet e kujdesit shoqëror organizohen në:

a) Shërbime parashoqërore: informimi dhe këshillimi, ndërhyrja e hershme, këshillimi on-line; b) Shërbime në komunitet: shërbimi në familje, alternativ, multifunksional, ditor dhe gjysmëditor, i emergjencës 72-orëshe, i strehimit të mbrojtur për të pastrehët. c) Shërbime rezidenciale afatgjata dhe shërbime të specializuara.

3. Shërbimet parashoqërore konsiderohen si shërbime komunitare dhe ofrohen nga strukturat e posaçme të shërbimeve shoqërore në kuptim të ligjit për shërbimet e kujdesit shoqëror.

4. Shërbimet në familje janë shërbimet e kujdesit shoqëror që ofrohen në familje për të moshuar dhe persona me aftësi të kufizuara, të cilët e kanë të pamundur të marrin shërbime ditore komunitare apo rezidenciale, të cilët e kanë të pamundur të kujdesen për veten dhe nuk mund të ndihmohen nga familjarët apo kujdestari /ndihmësi personal: Shërbimi në shtëpi përfshin: i. shërbime rehabilitimi, zhvillimi, këshillim psikologjik e ligjor sipas rastit; ii. shpërndarjen e ushqimeve të gatshme në shtëpi; iii. dhënien e medikamenteve sipas recetës së mjekut apo shërbime të tjera të kujdesit të shëndetit; iv. mbajtjen e higjienës personale; v. përmbushjen e nevojave të tjera të përditshme, sipas vlerësimit, rast pas rasti.

5. Shërbimi i përkujdesjes alternative siguron zhvillimin, arsimimin, shëndetin dhe mirëqenien e fëmijës dhe i ofrohet fëmijës kur nuk është në interesin më të lartë të tij të qëndrojë në një mjedis familjar të caktuar, sipas përcaktimit të legjislacionit në fuqi. Shërbimi ofrohet sipas përcaktimeve të bëra në vendimin e Këshillit të Ministrave për shërbimin e kujdestarisë për: i. fëmijë pa kujdes prindëror; ii. fëmijë të privuar në mënyrë të përkohshme ose të përhershme nga mjedisi familjar.

6. Shërbimi multifunksional përfshin një shumëllojshmëri shërbimesh multidisiplinare të specializuara dhe u ofrohet të gjitha kategorive në nevojë. Shërbimi multifunksional siguron: i. shërbime për rehabilitimin fizik dhe psikosocial; ii. këshillime ligjore falas, këshillim për prindërimin, punësimin, edukimin shëndetësor, arsimim, argëtim; iii. fuqizimin e individit/familjes; iv.çdo shërbim tjetër të nevojshëm të identifikuar nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.

7. Qendrat ditore ofrojnë shërbim gjysmëditor ose të plotë ditor, të cilat mund të përdoren një ose disa ditë në javë dhe sigurojnë shërbime specifike sipas kategorisë së përfituesve: i. fëmijë që jetojnë në situatë rruge dhe fëmijë të familjeve me probleme social-ekonomike - Shërbimet për këtë kategori përfshijnë shërbime për higjienë personale, ushqim, mbështetje për edukim, mbështetje psikologjike dhe sociale, aktivitete të kohës së lirë që nxisin edukimin dhe integrimin; ii. personat me aftësi të kufizuara - Shërbimet për këtë kategori përfshijnë terapi zhvillimi, fizioterapi, logopedi, ortofoni, terapi okupacionale, mbështetje psikologjike, përkujdesje fizike, ushqim për qëndrimin ditor; iii. të moshuarit - Shërbimet për këtë kategori përfshijnë mbështetje psikologjike, kujdes shëndetësor, aktivitete të kohës së lirë, përfshirje në komunitet dhe ushqim.

8. Shërbimi i emergjencës 72 orë u ofrohet individëve që kanë nevojë për asistencë të menjëhershme për shkak të një situate që u kërcënon jetën dhe shëndetin, të cilëve u sigurohet minimalisht në mënyrë të menjëhershme akomodimi, ushqimi dhe mjedisi i mbrojtur. Ky shërbim ngrihet për: i. viktima të dhunës në familje dhe fëmijët; ii. fëmijët pa kujdes prindëror ose të dhunuar, fëmijë të rrugës, të shfrytëzuar, të abuzuar dhe fëmijë me aftësi të kufizuara; iii. të moshuarit apo individë të braktisur në situatë rruge.

9. Shërbimi për të pastrehët ofrohet për individë mbi 18 vjeç që nuk kanë strehë banimi dhe janë në vështirësi ekonomike dhe siguron: i. strehim gjatë natës; ii. mensë; iii. mbështetje me këshillim dhe referim për fuqizim dhe riintegrim sa më të shpejtë.

10. Shërbimi i strehimit të mbrojtur u ofrohet viktimave të dhunës në familje, viktimave të trafikimit dhe personave me aftësi të kufizuara, të cilët nuk kanë një strehë. Ai organizohet në formën e një strukture banimi të veçantë, sipas specifikave të grupit të përfituesve ose në formën e banesave individuale, si dhe siguron: i. strehim, siguri fizike, ushqim, kujdes shëndetësor, trajtim psikologjik dhe emocional, këshillim dhe referim te shërbimet rehabilituese dhe riintegruese në tregun e punës për viktimat e dhunës në familje dhe viktimat e trafikimit, në përputhje me vlerësimin e kryer për nevojat e tyre; ii. mbështetje për jetesë brenda dhe jashtë ambientit të banimit, terapi rehabilituese, këshillim dhe mbështetje për integrim në tregun e punës për personat me aftësi të kufizuara.

11. Shërbime rezidenciale janë shërbimet që ofrohen në qendrat rezidenciale dhe, në çdo rast, përfshijnë të paktën shërbime të kujdesit 24-orësh dhe afatgjatë për individë në nevojë.Në këtë shërbim përfshihen: 

a) Shërbime në qendrat e zhvillimit, që sigurojnë përmirësimin e statusit dhe të cilësisë së jetës së individëve me aftësi të kufizuara, deri në 21 vjeç, dhe përfshijnë: i. terapi intensive psikosociale për aftësimin mendor dhe rehabilitimin social me qëllim integrimin në komunitet; ii. shërbim psikomotor për aftësimin dhe përmirësimin e parametrave psikologjikë dhe të motorikës fine e globale; iii. aftësim i parametrave fizikë; iv. shërbime specifike ortofonie për aftësimin e individëve me çrregullime të spektrit autik apo të aftësisë për të komunikuar; v. shërbime riaftësimi për punë; vi. terapi zhvillimi.

b) Strehimi afatgjatë, i cili i sigurohet individit që ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm, me qëllim përmbushjen e nevojave themelore. Ky shërbim u ofrohet: i. personave me aftësi të kufizuara, sipas moshës, llojit dhe shkallës së dëmtimit, kur nuk është e mundur të sigurohet kujdesi në familje apo në familje kujdestare, duke u dhënë formën e duhur të kujdesit; ii. të moshuarve dhe të sëmurëve rëndë, të cilët vuajnë nga ndryshime të përhershme të gjendjes shëndetësore, kur nuk është e mundur të sigurohet kujdesi në familje apo familje kujdestare.

c) Shërbimi në strehëza, që u siguron përfituesve shërbim specifik, strehimin, sigurinë fizike, ushqimin, kujdesin shëndetësor, rehabilitimin psikosocial, terapinë fizike, aktivitete profesionale, edukimin, në varësi të nevojave të identifikuara dhe të zgjedhura nga përfituesit. Ky shërbim rezidencial ofrohet në mënyrë të përkohshme: i. për fëmijën që gjendet i pambikëqyrur nga prindërit, në rrezik apo në situatë rruge;

ii. për fëmijën në nevojë të mbrojtjes së veçantë;

iii. për të rriturin ose të moshuarin që nuk ka vendbanim të përhershëm apo të përkohshëm dhe nuk është në gjendje të kujdeset për veten; iv. për gratë dhe vajzat shtatzëna ose për prindin e vetëm me fëmijë deri në 1 vjeç; v. për fëmijën dhe të rriturin, viktimë të dhunës në familje, të abuzimit, viktimë të trafikimit apo viktimë të mundshme të trafikimit ose në rrezik të mundshëm për jetën;

vi. për fëmijën dhe të rriturin në rrezik për shkak të situatës shëndetësore, aftësisë së kufizuar, varësisë nga droga ose alkooli apo përjashtimit social;

vii. për fëmijën në konflikt me ligjin.

12. Shërbime të specializuara janë shërbimet që ofrohen në nivel kombëtar, rajonal apo bashkie nga profesionistë të specializuar në fusha të caktuara dhe përfshijnë:

a) Shërbime zhvilluese dhe rehabilituese publike dhe jopublike që ofrohen në territorin e bashkisë ose në territorin e rajonit për fëmijë:

i. me çrregullime pervazive të zhvillimit;

ii. me prapambetje mendore;

iii. me çrregullime në komunikim; iv. në nevojë për aftësim fizik.

b) Rehabilitim për viktimat e abuzimit seksual që ofrohet për viktimën e abuzimit seksual. Kur vlerësohet se jetesa në familje nuk mund të vijojë pa ndërprerje, shërbimet rehabilituese, terapitë për rehabilitim shëndetësor e psikologjik dhe çdo nevojë tjetër e identifikuar për viktimën e abuzimit seksual ofrohen nga shërbimet ekzistuese komunitare. Shërbimi i specializuar siguron: i. strehimin; ii. sigurinë fizike; iii. ushqimin; iv. terapinë dhe rehabilitimin psikologjik; v. kujdesin shëndetësor; vi. asistencën juridike; vii. shërbime riintegruese.

c) Strehëza për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje, që ofrojnë shërbim në mënyrë të përkohshme, në varësi të nevojave të identifikuara dhe të zgjedhura nga përfituesit, viktimat e dhunës në familje që kanë marrë urdhër mbrojtjeje apo urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje dhe sigurojnë: i. strehimin; ii. sigurinë fizike; iii. ushqimin; iv. kujdesin shëndetësor; v. asistencën juridike; vi. rehabilitimin psikosocial; vii. fuqizim për punësim; viii. shërbime riintegruese;

ç) Qendrën për mbrojtjen, trajtimin dhe rehabilitimin e viktimave të trafikimit, që ofron shërbim në mënyrë të përkohshme, duke mundësuar: i. strehimin; ii. sigurinë fizike; iii. ushqimin; iv. kujdesin shëndetësor; v. asistencën juridike; vi. rehabilitimin psikosocial në varësi të nevojave të identifikuara të viktimës së trafikimit.

d) Shërbim rehabilitimi për personat me varësi nga droga/alkooli në nivel komunitar, që ofrohet si shërbim ditor dhe përfshin shërbime rehabilituese sipas nevojave të identifikuara nga njësitë e specializuara mjekësore dhe nga Njësia e Vlerësimit të Nevojave dhe Referimit të Rastit. Në kushtet rezidenciale shërbimi ofrohet në mënyrë të përkohshme dhe përfshin shërbimet: i. rehabilituese; ii. strehimin; iii. ushqimin; iv. kujdesin shëndetësor; v. rehabilitimin psikosocial; vi. terapinë okupacionale në varësi të nevojave të identifikuara të përfituesve të shërbimit.

III. PROCEDURAT PËR PËRFITIMIN E SHËRBIMEVE KOMUNITARE E REZIDENCIALE

13. Procesi i përfitimit të shërbimeve komunitare dhe rezidenciale fillon me kërkesën e paraqitur nga:

a) Individi apo familja në nevojë për shërbimin specifik;

b) Punonjësi i Njësisë së Vlerësimit të Nevojave dhe Referimit të Rastit;

c) Organizata joqeveritare dhe ofrues të shërbimeve publike e jopublike;

ç) Punonjësi i policisë së shtetit;

d) Punonjësi apo institucionet që janë në kontakt me individin apo familjen në nevojë për shërbim;

dh) Çdo person tjetër i interesuar.

14. Kërkesa për marrjen e shërbimit në qendra komunitare apo shërbim rezidencial, me përjashtim të shërbimeve të emergjencës, kryhet pranë punonjësit social në njësinë e qeverisjes vendore për vlerësimin dhe referimin e rastit, i cili drejton procesin e përgatitjes së dokumentacionit të nevojshëm për përdorimin e shërbimit specifik dhe i siguron dokumentet e nevojshme nëpërmjet kërkesës në institucionet përkatëse ose Regjistrit Elektronik Kombëtar.

15. Vlerësimi i nevojave dhe i riskut, i cili përfshin analizimin e të gjitha informacioneve dhe dokumenteve, në konsultim me përfituesin, realizohet në mjedisin e tij (në shtëpi, në shkollë), duke përfshirë vlerësimin shumëdisiplinor për rastet komplekse.

16. Punonjësi social në njësinë e qeverisjes vendore për vlerësimin dhe referimin e rastit informon dhe jep këshilla bazë për të drejtat dhe mundësitë për kujdes dhe trajtim, këshillim për shërbimet shëndetësore dhe arsimore të mundshme në nivel vendor, informim bazë për pagesat sociale në të holla.

17. Punonjësi social në njësinë e qeverisjes vendore për vlerësimin dhe referimin e rastit, brenda 10 ditësh nga fillimi i procesit të përfitimit të shërbimit, sipas përcaktimit të pikës 13 të këtij kreu, pasi merr informacionin e plotë nga sistemet e jashtme, e kalon informacionin te komisioni multidisiplinar, i ngritur në përputhje me legjislacionin në fuqi, për të bërë vlerësimin e plotë të rastit.

18. Komisioni multidisiplinar shqyrton kërkesën e dokumentacionin dhe, pas marrjes së vendimit, përcjell vendimin e dokumentacionin pranë ofruesit të shërbimit ose, në rast refuzimi, pranë njësisë që ka marrë nismën për vendosjen e individit në institucion përkujdesi rezidencial.

19. Punonjësi social në nivel qarku shikon në sistem rastet për trajtim dhe më pas përcakton planin e trajtimit të rastit dhe shikon performancën e punonjësve dhe ecurinë e trajtimit të rastit. Pasi merr vendimin për rivlerësimin e rastit, përcakton hapat e mëtejshëm të trajtimit të tij.

20. Titullari i institucionit të përkujdesit shoqëror (në vijim “IPSH”) shikon në sistem rastet për trajtim. Përcakton planin e trajtimit të rastit dhe shikon performancën e punonjësve dhe ecurinë e trajtimit të rastit. Merr vendim për rivlerësimin e rastit dhe përcakton hapat e mëtejshëm. Mbyll rastin.

21. Punonjësi në IPSH ndjek detyrat dhe hedh veprimet e ndërmarra dhe dokumentacionin e mbledhur për rastin. Plotëson raportin e vlerësimit periodik dhe raportin e mbylljes së rastit.

22. Bashkërendimi i mbështetjes dhe referimi te shërbimet e kujdesit social në nivel vendor, rajonal dhe qendror. Për shërbimet në nivel rajonal dhe qendror vendimi për referimin merret bashkërisht me SHSSH-në.

23. Me përjashtim të viktimave të dhunës në familje, viktimave të trafikimit dhe të mundshme të trafikimit, për individët dhe familjet në nevojë, vendimi për t’i ofruar shërbimin e kërkuar merret brenda një muaji nga data e kërkesës nga:

a) Këshilli i Bashkisë, në rastin kur shërbimi i kërkuar funksionon në territorin e bashkisë respektive ku banon individi apo familja në nevojë mbi bazën e propozimit të strukturës përgjegjëse për shërbimet e kujdesit shoqëror pranë bashkisë;

b) Këshilli i Qarkut, në rastin kur shërbimi i kërkuar përfshihet në territorin e qarkut ku banon kërkuesi i shërbimit, mbi bazën e propozimit të ardhur nga Këshilli i Bashkisë që përfshihet në territorin e qarkut;

c) Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror, në rastet kur në territorin e bashkisë dhe qarkut ku banon kërkuesi i shërbimit nuk ka shërbim rezidencial për nevojat e individit.

24. Pas marrjes së vendimit sipas përcaktimit të pikës 19 të këtij kreu, dokumentacioni bashkë me vendimin përcillen pranë shërbimit specifik ose i rikthehen individit apo familjes së interesuar në rast se kërkesa nuk është miratuar.

25. Për çdo përfitues të shërbimit rezidencial, çdo 6 muaj rivlerësohen të gjitha kushtet që kanë shkaktuar largimin nga familja apo shërbimi komunitar. Në rast të konstatimit që arsyet e marrjes së shërbimit rezidencial janë shuar, ndiqen procedurat sipas standardit të shërbimit për largimin nga shërbimi rezidencial.

26. Në rastet e emergjencës kur në territorin e bashkisë dhe qarkut respektiv mungojnë shërbime emergjence 72-orëshe, por ofrohet shërbim rezidencial që u përgjigjet nevojave të individit apo familjes në situatë emergjence, kryhet akomodimi i menjëhershëm pa pritur vendimin e autoriteteve vendimmarrëse për akomodimin në shërbimin rezidencial. Pranimi i menjëhershëm në shërbimin rezidencial shoqërohet me procesverbalin e punonjësit të policisë; në rastin e fëmijës procesverbali dorëzohet nga punonjësi i mbrojtjes së fëmijës, ku përshkruhen rrethanat në të cilën është konstatuar rasti i emergjencës. Brenda 24 orëve nga pranimi në shërbim të rastit emergjent, ofruesi i shërbimit njofton njësinë përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror në bashkinë ku ka gjendjen civile individi i akomoduar. Kjo e fundit, brenda 72 orësh, administron rastin,  me qëllim vijimin e shërbimit, duke konsideruar me prioritet shërbimet në komunitet.

27. Përpunimi i të dhënave personale, subjekt i rregullimeve të këtij vendimi, kryhet sipas përcaktimit të ligjit nr. 9887, datë 10.3.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, të ndryshuar.

IV. KRITERET E PËRFITIMIT TË SHËRBIMIT DHE PËRMBAJTJA E DOSJES

28. Organet publike në nivel vendor sigurojnë planifikimin në planet sociale dhe realizimin e shportës bazë të shërbimeve kumunitare të kujdesit shoqëror, të përcaktuara në pikat 4–10 të këtij vendimi, në mënyrë uniforme, duke zbatuar kriteret për përfitimin e shërbimit dhe dokumentacionin e nevojshëm për kualifikimin e individit si përfitues i tij.

29. Formati i planeve sociale miratohet me udhëzim të ministrit përgjegjës për mbrojtjen sociale.

30. Procedurat e ngritjes, organizimit të shërbimeve, të përcaktuara në pikën 28 të këtij kreu, miratohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për mbrojtjen sociale.

31. Shërbimi në shtëpi, sipas përcaktimit të pikës 4, të kreut II, të këtij vendimi, përfitohet nga individët që plotësojnë këto kritere:

a) Të jenë të moshuar ose persona me aftësi të kufizuara që e kanë të pamundur të kujdesen për veten dhe nuk mund të ndihmohen nga familjarët apo kujdestari;

b) Kanë nevojë për një shërbim që nuk ofrohet nga shërbimet komunitare në territorin ku banojnë.

32. Pas depozitimit të kërkesës me shkrim nga të interesuarit, sipas përcaktimeve të bëra në pikën 13, të kreut III, të këtij vendimi, punonjësi social në njësinë e qeverisjes vendore për vlerësimin dhe referimin e rastit/Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve plotëson dosjen e individit me këto dokumente dhe të dhëna:

a) Epikrizën shëndetësore dhe fotokopje të kartelës mjekësore;

b) Verifikimin mbi gjendjen social-ekonomike të familjes;

c) Përbërjen familjare aktuale nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile i vitit 2010;

ç) Të ardhurat e familjes nga sistemi i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. 33. Shërbimi në qendër komunitare multifunksionale, sipas përcaktimit të pikës 6, të kreut II, të këtij vendimi, përfitohet nga subjektet që kanë nevojë për një apo disa shërbime që ofrohen në qendrën komunitare sipas nevojës së identifikuar gjatë procesit të menaxhimit të rastit, të përcaktuar në kreun III të këtij vendimi;

34. Pas depozitimit të kërkesës me shkrim nga të interesuarit, sipas përcaktimeve të bëra në pikën 13, të kreut III, të këtij vendimi, punonjësi social në njësinë e qeverisjes vendore për vlerësimin dhe referimin e rastit/Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve plotëson dosjen e individit me këto dokumente dhe të dhëna:

a) Verifikimin mbi gjendjen social-ekonomike të familjes;

b) Përbërjen familjare aktuale nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile i vitit 2010;

c) Të ardhurat e familjes nga sistemi i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

35. Shërbimi në qendër ditore për fëmijë, sipas përcaktimit të pikës 7/i, të kreut II, të këtij vendimi, përfitohet nga subjektet që plotësojnë këto kritere:

a) Fëmijë të identifikuar në situatë rruge;

b) Fëmijë të familjeve me probleme socialekonomike;

c) Fëmijë në konflikt me ligjin. 36. Pas depozitimit të kërkesës me shkrim nga të interesuarit, sipas përcaktimeve të bëra në pikën 13, të kreut III, të këtij vendimi, punonjësi social në njësinë e qeverisjes vendore për vlerësimin dhe referimin e rastit/Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve plotëson dosjen e individit me këto dokumente dhe të dhëna, si më poshtë vijon:

a) Certifikatën e lindjes nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile i vitit 2010;

b) Fotografinë e fëmijës (2 copë);

c) Certifikatën familjare nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile i vitit 2010;

ç) Fotokopjen e kartës së identitetit të prindërve;

d) Verifikimin mbi gjendjen social-ekonomike të familjes;

dh) Raport me të dhëna nga struktura policore të interesuara sipas rastit, dhe/ose komisariati i policisë që mbulon territorin ku banon, në rastin kur fëmija është konstatuar i neglizhuar apo pa kujdes prindëror.

37. Shërbimi në qendër ditore për persona me aftësi të kufizuara, sipas përcaktimit të pikës 7/ii, të kreut II, të këtij vendimi, përfitohet nga persona me aftësi të kufizuara të përcaktuar nga komisioni përgjegjës i vlerësimit të aftësisë së kufizuar dhe që kanë të nevojshme shërbime rehabilituese dhe riintegruese.

38. Pas depozitimit të kërkesës me shkrim nga të interesuarit, sipas përcaktimeve të bëra në pikën 13, të kreut III, të këtij vendimi, punonjësi social në njësinë e qeverisjes vendore për vlerësimin dhe referimin e rastit/Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve plotëson dosjen e individit me këto dokumente dhe të dhëna, si më poshtë vijon:

a) Certifikatën e lindjes nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile i vitit 2010;

b) Certifikatën familjare nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile i vitit 2010;

c) Dokumentin që vërteton vendimin e komisionit përgjegjës për përcaktimin e aftësisë së kufizuar;

ç) Fotografinë e individit (2 copë); d) Deklaratën me shkrim, të noterizuar, për dhënien e pëlqimit të prindit ose të kujdestarit për pranimin e personit në shërbimin ditor.

39. Shërbimi në qendër ditore për të moshuarit, sipas përcaktimit të bërë në pikën 7/iii, të kreut II, të këtij vendimi, përfitohet nga individët që plotësojnë këto kritere:

a) Të jenë të moshuar që kanë mbushur moshën për pension sipas legjislacionit në fuqi;

b) Të përfitojnë pension social ose pension minimal në përputhje me legjislacionin përkatës;

c) Të jenë të vetmuar e të braktisur sipas verifikimeve të kryera nga Njësia e Vlerësimit të Nevojave dhe Referimit të Rastit. 40. Pas depozitimit të kërkesës me shkrim nga të interesuarit, sipas përcaktimeve të bëra në pikën 13, të kreut III, të këtij vendimi, punonjësi social në njësinë e qeverisjes vendore për vlerësimin dhe referimin e rastit plotëson dosjen e individit me këto dokumente dhe të dhëna:

a) Certifikatën e gjendjes civile nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile i vitit 2010;

b) Certifikatën familjare nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile i vitit 2010;

c) Fotografinë e individit (2 copë); ç) Raportin nga komisioni mjekoligjor, që përcakton gjendjen shëndetësore të personit; d) Vërtetimin nga sigurimet shoqërore për masën e pensionit që përfiton nga sistemi i Institutit të Sigurimeve Shoqërore; dh) Verifikimin mbi gjendjen social-ekonomike të familjes. 41. Shërbimi i emergjencës 72 orë, sipas përcaktimit të pikës 8, të kreut II, të këtij vendimi, ofrohet në mënyrë të menjëhershme dhe i vetmi dokumentacion i nevojshëm në momentin e pranimit në këtë shërbim, sipas rastit, është:

a) Urdhri i menjëhershëm i mbrojtjes - për viktima të dhunës në familje dhe fëmijët e tyre;

b) Urdhri i menjëhershëm i mbrojtjes ose procesverbali i policisë - për fëmijë pa kujdes prindëror ose të dhunuar, të shfrytëzuar, të abuzuar, fëmijë me aftësi të kufizuara;

c) Urdhri i menjëhershëm i mbrojtjes ose procesverbali i policisë - për të moshuar të braktisur në situatë rruge.

42. Brenda 24 orëve nga vendosja në shërbimin e emergjencës, punonjësi social i shërbimit njofton punonjësin social në njësinë e qeverisjes vendore për vlerësimin dhe referimin e rastit për të vijuar me menaxhimin e rastit të përcaktuar në kreun III të këtij vendimi.

43. Shërbimi për të pastrehët, sipas përcaktimit të pikës 9, të kreut II, të këtij vendimi, përfitohet nga subjektet që plotësojnë këto kritere:

a) Të jenë mbi 18 vjeç e të pastrehë;

b) Të jenë përfitues të ndihmës ekonomike ose në proces aplikimi për ndihmën ekonomike. 44. Pas depozitimit të kërkesës me shkrim nga të interesuarit, sipas përca pamundur të jetojnë në mjedisin e mëparshëm familjar apo të pastrehë. 46. Pas depozitimit të kërkesës me shkrim nga të interesuarit, sipas përcaktimeve të bëra në pikën 13, të kreut III, të këtij vendimi, punonjësi social në njësinë e qeverisjes vendore për vlerësimin dhe referimin e rastit/Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve plotëson dosjen e individit me këto dokumente dhe të dhëna, si më poshtë vijon:

a) Urdhrin e mbrojtjes/urdhri i menjëhershëm i mbrojtjes;

b) Procesverbalet e referimit nga punonjësi i Policisë së Shtetit;

c) Raportin e vlerësimit të punonjësit social të sektorit të dhunës në njësitë e qeverisjes vendore;

ç) Certifikatën familjare nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile i vitit 2010;

d) Raportin e komisionit mjekoligjor;

dh) Vërtetimin nga ZRPP-ja dhe ALUIZNI që nuk zotëron pronë;

e) Të ardhurat e familjes nga sistemi i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. 47. Shërbimi i strehimit të mbrojtur për viktimat e trafikimit ose viktima të mundshme trafikimi, sipas përcaktimit të pikës 10/i, të kreut II, të këtij vendimi, përfitohet nga individët, viktima të trafikimit ose viktima të mundshme trafikimi mbi 18 vjeç, që e kanë të pamundur, për arsye të sigurisë apo nevojës për shërbime rehabilituese, të jetojnë në mjedisin e mëparshëm familjar.

48. Pas depozitimit të kërkesës me shkrim nga të interesuarit, sipas përcaktimeve të bëra në pikën 13, të kreut III, të këtij vendimi, punonjësi social në njësinë e qeverisjes vendore për vlerësimin dhe referimin e rastit/Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve plotëson dosjen e individit me këto dokumente dhe të dhëna, si më poshtë vijon:

a) Procesverbalet e referimit nga punonjësi i Policisë së Shtetit dhe punonjësi social i Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror;

b) Certifikatën familjare nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile i vitit 2010;

c) Raportin e vlerësimit të punonjësit social të Njësisë së Vlerësimit të Nevojave dhe Referimit të Rastit mbi rrethanat; ç) Verifikimin mbi gjendjen social-ekonomike të familjes;

d) Raportin e komisionit mjekoligjor;

dh) Të ardhurat e familjes nga sistemi i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

49. Shërbimi i strehimit të mbrojtur për personat me aftësi të kufizuara, sipas përcaktimit të pikës 10/ii, të kreut II, të këtij vendimi, përfitohet nga individët që plotësojnë këto kritere:

a) Persona me aftësi të kufizuara të vlerësuar nga komisioni përgjegjës i vlerësimit të aftësisë së kufizuar: i. mendore; ii. fizike; iii. sensore;

b) Janë të pastrehë dhe/ose familjarë të tyre nuk mund të kujdesen për ta;

c) Kanë zhvilluar aftësitë për jetesë të pavarur ose gjysmë të pavarur.

50. Pas depozitimit të kërkesës me shkrim nga të interesuarit, sipas përcaktimeve të bëra në pikën 13, të kreut III, të këtij vendimi, punonjësi social në njësinë e qeverisjes vendore për vlerësimin dhe referimin e rastit/Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve plotëson dosjen e individit me këto dokumente dhe të dhëna, si më poshtë vijon:

a) Certifikatën e lindjes nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile i vitit 2010;

b) Certifikatën familjare nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile i vitit 2010;

c) Fotografinë e individit (2 copë);

ç) Vendimin e komisionit përgjegjës të vlerësimit të aftësisë së kufizuar;

d) Vërtetimin e gjendjes social-ekonomike të familjes, si dhe të të ardhurave personale të personit me aftësi të kufizuar, të lëshuar nga administratori shoqëror i njësisë së qeverisjes vendore;

dh) Kërkesën për përfitimin e shërbimit;

e) Vërtetimin nga ZRPP-ja që vërtetojnë mungesën e strehimit; ë) Vërtetimin nga tatimet dhe sigurimet shoqërore, që provojnë nivelin e të ardhurave të deklaruara nga individi, nga sistemi i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

51. Shërbimet rezidenciale për personat me aftësi të kufizuara, sipas përcaktimit të pikës 11/a, të kreut II, të këtij vendimi, përfitohen nga individët që plotësojnë këto kritere:

a) Vendimi i komisionit përgjegjës të vlerësimit të aftësisë së kufizuar: i. mendore; ii. fizike; iii. sensore;

b) Mosha e përfituesve të këtij shërbimi është nga 0–21 vjeç;

c) Nevoja për terapi zhvillimi për personat me aftësi të kufizuara, të cilët nuk mund t’i përfitojnë përmes shërbimeve komunitare.

52. Pas depozitimit të kërkesës me shkrim nga të interesuarit, sipas përcaktimeve të bëra në pikën 13, të kreut III, të këtij vendimi, punonjësi social në njësinë e qeverisjes vendore për vlerësimin dhe referimin e rastit/Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve plotëson dosjen e individit me këto dokumente dhe të dhëna:

a) Certifikatën e lindjes nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile;

b) Certifikatën familjare nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile;

c) Vendimin e komisionit përgjegjës të vlerësimit të aftësisë së kufizuar;

ç) Fotografinë e individit (2 copë);

d) Verifikimin e gjendjes social-ekonomike të familjes, si dhe të të ardhurave personale të personit me aftësi të kufizuar, të lëshuar nga administratori shoqëror i njësisë së qeverisjes vendore, sipas formularit të posaçëm të miratuar me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet sociale;

dh) Kërkesën për sistemimin e personit në institucion;

e) Dokumentin e shkollës që ka ndjekur personi;

ë) Deklaratën me shkrim, të noterizuar, për dhënien e pëlqimit të prindit ose të kujdestarit për pranimin e personit në institucion.

53. Strehimi afatgjatë për personat me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit, sipas përcaktimit të pikës 11/b, të kreut II, të këtij vendimi, përfitohet nga individët që plotësojnë këto kritere:

a) Të jenë persona me aftësi të kufizuara për të cilët është i pamundur të sigurohet kujdesi në familje dhe sipas moshës, llojit dhe shkallës së dëmtimit i jepen format e duhura institucionale të kujdesit;

b) Të jenë të moshuar e të sëmurë rëndë, që vuajnë nga ndryshime të përhershme të gjendjes shëndetësore.

54. Pas depozitimit të kërkesës me shkrim nga të interesuarit, sipas përcaktimeve të bëra në pikën 13, të kreut III, të këtij vendimi, punonjësi social në njësinë e qeverisjes vendore për vlerësimin dhe referimin e rastit/Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve plotëson dosjen e individit me këto dokumente dhe të dhëna, si më poshtë vijon:

a) Certifikatën personale nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile i vitit 2010;

b) Certifikatën familjare nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile i vitit 2010;

c) Fotografinë e individit (2 copë);

ç) Raportin mjekoligjor që përcakton gjendjen shëndetësore të personit;

d) Vërtetimin nga sigurimet shoqërore për përfitimin dhe masën e përfitimit të pensionit të pleqërisë apo ndonjë lloj tjetër pensioni;

dh) Vendimin e komisionit përgjegjës të vlerësimit të aftësisë së kufizuar që përcakton aftësinë e kufizuar në rastin e personit me aftësi të kufizuar;

e) Verifikimin e gjendjes social-ekonomike të familjes, si dhe të të ardhurave personale të personit me aftësi të kufizuar të lëshuar nga administratori shoqëror i njësisë së qeverisjes vendore, sipas formularit të posaçëm të miratuar me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet sociale;

ë) Verifikimin nga sistemi bankar të burimeve financiare të individit, i marrë me autorizimin përkatës të individit.

55. Shërbimi në strehëza për fëmijë, sipas përcaktimit të pikës 11/c/i/ii, të kreut II, të këtij vendimi, përfitohet nga individët që plotësojnë këto kritere: a) Fëmijë të moshës 0–18 vjeç, që i kanë vdekur prindërit dhe nuk është bërë i mundur në mënyrë të menjëhershme shërbimi i kujdesit në familje kujdestare apo birësimi;

b) Fëmijë i lindur jashtë martese dhe që, për rrethana të gjendjes ekonomiko-shoqërore, nuk mund ta rrisë njëri nga prindërit;

c) Prindërve të fëmijës u është hequr e drejta prindërore me vendim gjykate të formës së prerë;

ç) Prindërit e fëmijës janë ndaluar/arrestuar ose dënuar me vendim të formës së prerë me heqje lirie dhe deklarojnë me vullnet të lirë sistemimin e fëmijës në shërbimet e përkujdesjes shoqërore;

d) Fëmija është deklaruar i braktisur nga gjykata në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi; dh) Gjykata, me vendim të formës së prerë, ka vendosur sistemimin e fëmijës në institucionet e përkujdesjes shoqërore, pavarësisht nga gjendja familjare;

e) Familjet e të cilëve deklarojnë se janë në krizë të rëndë sociale për shkak se prindërit janë të divorcuar ose janë rimartuar;

ë) Prindërit e të cilëve shtrohen në spital ose dërgohen për kurim jashtë shtetit dhe deklarojnë me vullnet të lirë sistemimin e fëmijëve në institucionet e përkujdesjes shoqërore deri sa njëri ose të dy prindërit janë fizikisht të aftë për t’u kujdesur për fëmijët; f) Fëmijë që nuk mbikëqyren më ose janë larguar nga prindi apo kujdestari, deri në momentin e identifikimit dhe gjetjes së prindit apo kujdestarit të tyre. 56. Pas depozitimit të kërkesës me shkrim nga të interesuarit, sipas përcaktimeve të bëra në pikën 13, të kreut III, të këtij vendimi, punonjësi social në njësinë e qeverisjes vendore për vlerësimin dhe referimin e rastit/Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve plotëson dosjen e individit me këto dokumente dhe të dhëna:

a) Certifikatën e lindjes nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile i vitit 2010;

b) Fotografitë e fëmijës (2 copë);

c) Certifikatën familjare nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile i vitit 2010;

ç) Certifikatën e vdekjes së prindërve, sipas rastit, nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile;

d) Vendimin e gjykatës për heqjen e së drejtës prindërore ose kopje të noterizuar të tij, sipas rastit;

dh) Deklaratën e noterizuar të nënës ose, në pamundësi, deklaratën zyrtare të drejtorit të institucionit shëndetësor ku është braktisur fëmija, në rastet e braktisjes së fëmijës në maternitet, si dhe dokumentacionin e përcaktuar në nenin 8, të ligjit nr. 18/2017, “Për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës”;

e) Epikrizën shëndetësore, kartelën mjekësore ose fotokopjen e saj, me të dhënat laboratorike dhe për vaksinimin;

ë) Procesverbalin e lindjes së fëmijës në rastin kur fëmija është braktisur në maternitet;

f) Procesverbalin dhe urdhrin e mëparshëm të pranimit/transferimit të fëmijës me vendim komisioni, në rastin e lëvizjes së tij nga një institucion në tjetrin, për shkak të moshës;

g) Fotokopje të kartës së identitetit të prindërve;

gj) Dokumentin e shkollës që ka ndjekur fëmija;

h) Deklaratën noteriale për dhënien e pëlqimit të të dy prindërve ose të kujdestarit/kujdestarëve për vendosjen e tij në institucion;

i) Verifikimin e gjendjes social-ekonomike të familjes të kryer nga administratori shoqëror sipas formularit të posaçëm të miratuar me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet sociale;

j) Dokumentet e noterizuara të pronësisë së banesës, si dhe dokumente të tjera për të drejtat pasurore, kur fëmija është trashëgimtar i drejtpërdrejtë, për rastet kur prindërit kanë vdekur ose kur, me vendim gjykate, u është hequr e drejta prindërore;

k) Të dhëna nga struktura policore të interesuara sipas rastit, komisariati i policisë që mbulon territorin ku banon.

57. Periudha e sistemimit të fëmijëve nga materniteti në shtëpinë e foshnjës është 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga data e lindjes së fëmijës, por mund të zgjatet në varësi të gjendjes shëndetësore të fëmijës.

58. Shërbimi në strehëza për të moshuarit, sipas përcaktimit të pikës 11/c/iii, të kreut II, të këtij vendimi, përfitohet nga subjektet që plotësojnë këto kritere:

a) Përfituesit e shërbimit kanë mbushur moshën për pension sipas legjislacionit në fuqi;

b) Përfitojnë pension social ose pension minimal në përputhje me legjislacionin përkatës; c) Nuk zotërojnë banesë apo llogari bankare;

ç) Janë të vetmuar dhe të braktisur sipas verifikimeve të kryera nga punonjësi social në njësinë e qeverisjes vendore për vlerësimin dhe referimin e rastit.

59. Pas depozitimit të kërkesës me shkrim nga të interesuarit, sipas përcaktimeve të bëra në pikën 13, të kreut III, të këtij vendimi, punonjësi social në njësinë e qeverisjes vendore për vlerësimin dhe referimin e rastit plotëson dosjen e individit me këto dokumente dhe të dhëna:

a) Certifikatën personale nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile i vitit 2010;

b) Certifikatën familjare nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile i vitit 2010;

c) Fotografinë e individit (2 copë);

ç) Raportin mjekësor që përcakton gjendjen shëndetësore;

d) Vërtetimin nga sigurimet shoqërore me masën dhe llojin e pensionit që përfiton, nga sistemi i Institutit të Sigurimeve Shoqërore;

dh) Verifikimin e gjendjes social-ekonomike të familjes të kryer nga administratori shoqëror sipas formularit të posaçëm të miratuar me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet sociale;

e) Vërtetimin nga ZRPP-ja dhe ALUIZNI për pronat që ka në zotërim;

ë) Verifikimin nga sistemi bankar të burimeve financiare të individit, i marrë me autorizimin përkatës të individit. 60. Shërbimet zhvilluese dhe rehabilituese, sipas përcaktimit të pikës 12/a, të kreut II, të këtij vendimi, përfitohen nga persona me aftësi të kufizuara, të vlerësuar nga komisioni përgjegjës i vlerësimit të aftësisë së kufizuar, kur mjeku specialist i referon për shërbime rehabilituese, duke specifikuar qartësisht shërbimin e nevojshëm.

61. Pas depozitimit të kërkesës me shkrim nga të interesuarit, sipas përcaktimeve të bëra në pikën 13, të kreut III, të këtij vendimi, punonjësi social në njësinë e qeverisjes vendore për vlerësimin dhe referimin e rastit/Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve plotëson dosjen e individit me këto dokumente dhe të dhëna, si më poshtë vijon:

a) Certifikatën e lindjes nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile i vitit 2010;

b) Vendimin e komisionit përgjegjës të vlerësimit të aftësisë së kufizuar; c) Referencën nga mjeku specialist;

ç) Referimin në shërbimin rehabilitues nga Njësia e Vlerësimit të Nevojave dhe Referimit të Rastit.

62. Shërbimet rezidenciale për viktimat e dhunës në familje, sipas përcaktimit të pikës12/c, të kreut II, të këtij vendimi, përfitohen nga individët që plotësojnë këto kritere:

a) Fëmijët 0–18 vjeç të dhunuar në familje, të shoqëruar nga nëna ose të pashoqëruar nga prindërit, të identifikuar nga strukturat përgjegjëse si viktima të dhunës në familje. Për djemtë mbi 13 vjeç, pas kryerjes së vlerësimit psikosocial;

b) Vajza dhe gra, viktima të dhunës në familje, të pajisur me urdhër mbrojtjeje ose urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje.

63. Pas depozitimit të kërkesës me shkrim nga të interesuarit, sipas përcaktimeve të bëra në pikën 13, të kreut III, të këtij vendimi, punonjësi social në njësinë e qeverisjes vendore për vlerësimin dhe referimin e rastit/Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve plotëson dosjen e individit me këto dokumente dhe të dhëna, si më poshtë vijon:

a) Urdhrin e mbrojtjes/urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes;

b) Procesverbalet e referimit nga punonjësi i Policisë së Shtetit;

c) Procesverbalet nga punonjësit socialë të sektorit të dhunës në njësitë e qeverisjes vendore; 

ç) Raportin mjekoligjor; d) Vendimin e gjykatës për vendosje në shërbim rezidencial.

64. Shërbimet rezidenciale për viktimat e trafikimit dhe viktimat e mundshme të trafikimit, sipas përcaktimit të pikës12/ç, të kreut II, të këtij vendimi, përfitohen nga fëmija, personi mbi 18 vjeç, shtetas shqiptar apo i huaj që, në bazë të intervistës formale të zhvilluar sipas procedurave standarde, vlerësohet si viktimë e mundshme ose viktimë trafikimi.

65. Pas depozitimit të kërkesës me shkrim nga të interesuarit, sipas përcaktimeve të bëra në pikën 13, të kreut III, të këtij vendimi, punonjësi social në njësinë e qeverisjes vendore për vlerësimin dhe referimin e rastit/Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve plotëson dosjen e individit me këto dokumente dhe të dhëna, si më poshtë vijon:

a) Deklaratën e pranimit të marrjes së shërbimit rezidencial, e firmosur nga përfituesi;

b) Deklaratën e konfidencialitetit për përkthyesit (kur viktima/viktima e mundshme e trafikimit është shtetas/e i/e huaj);

c) Lejen e informuar për intervistën formale; ç) Formatin e konkludimit të intervistës formale;

d)Formatin e konkludimit pa intervistë formale (për viktimat e mundshme të trafikimit);

dh) Deklaratën e vendimit të informuar për ndihmë;

e) Kërkesën për vlerësimin social-ekonomik dhe të sigurisë së parakthimit vullnetar (për viktimat /viktimat e mundshme të riatdhesuara); ë) Raportin për vlerësimin e situatës familjare para kthimit vullnetar të asistuar; f) Procesverbalet e referimit nga punonjësi social i zyrave rajonale dhe nga punonjësi i antitrafikut;

g) Autorizimin e prindërve/kujdestarit për kthim të asistuar të të miturit/miturës;

gj) Autorizimin e prindërve/kujdestarit për udhëtimin e të miturit/miturës.

66. Shërbimi i rehabilitimit rezidencial për personat me varësi nga droga, sipas përcaktimit të pikës 12/d, të kreut II të këtij vendimi, përfitohet nga individët që plotësojnë këto kritere:

a) Janë përdorues të drogës që kanë të nevojshëm shërbimin e rehabilitimit nga droga larg nga mjedisi që ka nxitur përdorimin e drogave; b) Përdorues i drogës që pranon të përfshihet në shërbimin e rehabilitimit.

67. Pas depozitimit të kërkesës me shkrim nga të interesuarit, sipas përcaktimeve të bëra në pikën 13, të kreut III, të këtij vendimi, punonjësi social në njësinë e qeverisjes vendore për vlerësimin dhe referimin e rastit/Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve plotëson dosjen e individit me këto dokumente dhe të dhëna, si më poshtë vijon:

a) Certifikatën e lindjes nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile i vitit 2010;

b) Epikrizën shëndetësore të përgatitur nga mjeku toksikolog;

c) Fotografinë e individit (2 copë);

ç) Vlerësimin e kryer nga psikologu klinik; d) Raportin mbi shërbimet komunitare të ofruara ndaj individit në kushtet komunitare i përgatitur nga punonjësi social i njësisë vendore që ka menaxhuar rastin;

dh) Deklaratën me shkrim, të noterizuar, për dhënien e pëlqimit të prindit ose të kujdestarit për pranimin e personit në institucion kur ky i fundit është minoren.

V. MASA E SHUMËS PËR SHPENZIME PERSONALE DHE NIVELIN E KUOTAVE TË SHPENZIMEVE PËR USHQIME PËR PËRFITUESIT E SHËRBIMIT REZIDENCIAL E KOMUNITAR

68. Subjekteve përfituese të shërbimit rezidencial publik, sipas përcaktimit të këtij vendimi, u jepet, për shpenzime personale, një shumë parash, si më poshtë vijon:

a) Personave të moshuar që nuk kanë të ardhura, që janë të vendosur në shërbimin rezidencial për të moshuarit, 6 000 (gjashtë mijë) lekë në muaj;

b) Fëmijëve të moshës 2–5 vjeç, që janë vendosur në shtëpitë e fëmijëve, 300 (treqind) lekë në muaj;

c) Fëmijëve të moshës 6–15 vjeç, që janë vendosur në shtëpitë e fëmijëve, 1 000 (një mijë) lekë në muaj;

ç) Fëmijëve të moshës 16–18 vjeç, që janë vendosur në shtëpitë e fëmijëve, 1 500 (një mijë e pesëqind) lekë në muaj;

d) Personave, që marrin shërbime në qendrat e zhvillimit, 1 000 (një mijë) lekë në muaj; dh) Viktimave të dhunës në marrëdhëniet familjare, që nuk kanë të ardhura e që janë vendosur në institucionet rezidenciale publike, 3 000 (tre mijë) lekë në muaj;

e) Viktimave të trafikimit/viktimave të mundshme të trafikimit, që nuk kanë të ardhura e që janë vendosur në institucionet rezidenciale publike, 3 000 (tre mijë) lekë në muaj.

69. Procedurat e shpërndarjes së shumës së parave që u jepet kategorive të përcaktuara në pikën 67 të këtij vendimi, për shpenzime personale, përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për mbrojtjen sociale.

70. Nivelet e kuotave të shpenzimeve të përkujdesit shoqëror në institucionet publike rezidenciale dhe komunitare miratohen nga ministria përgjegjëse për çështjet sociale. Nivelet e kuotave të shpenzimeve në institucionet private nuk mund të jenë më të ulëta se ato në institucionet publike.

71. Nivelet e kuotave të shpenzimeve të përkujdesit shoqëror në institucionet publike rezidenciale dhe komunitare indeksohen çdo vit sipas indeksit të çmimeve të konsumit, nëngrupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”.

VI. DISPOZITA TË FUNDIT

72. Ngarkohen strukturat përgjegjëse për shërbimet e kujdesit shoqëror pranë bashkive dhe qarqeve dhe njësitë e vlerësimit të nevojave dhe referimit të rastit për zbatimin e këtij vendimi, në përputhje dhe me detyrimet ligjore që rrjedhin nga legjislacioni në fuqi që rregullon fushën e veprimtarisë së tyre.

73. Kreu I, i vendimit nr. 113, datë 31.1.2007, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e masës së kontributeve të personave që vendosen në instititucionet rezidenciale publike të përkujdesit shoqëror”, i ndryshuar, dhe vendimi nr. 425, datë 27.6.2012, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe dokumentacionit të nevojshëm për pranimin e personave në institucionet rezidenciale, publike dhe jopublike, të përkujdesit shoqëror”, i ndryshuar, shfuqizohen.

74. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Shërbimi Social Shtetëror dhe inspektorati përgjegjës për shërbimet sociale për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi 6 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI

Edi Rama

Copyright © 2006 -2020ikub.al shpk, All Rights Reserved