UDHËZIM I PËRBASHKËT Nr. 30, datë 30.8.2018
ikub# :1903050094
Udhëzim
Numri i fletores zyrtare: 132
Numri i ligjit: 30
Statusi i ligjit: Ne fuqi
30.08.2018 30.08.2018 30.08.2018
Fushat e veprimit te aktit: Tarifat
Propozuar nga: Ministri i Ekonomise,Ministri i Drejtësisë
PËR DISA NDRYSHIME NË UDHËZIMIN E PËRBASHKËT NR. 385/7, DATË 28.6.2017, “PËR CAKTIMIN E TARIFAVE PËR SHËRBIMET E OFRUARA NGA SHËRBIMI PËRMBARIMOR GJYQËSOR PRIVAT”, TË MINISTRIT TË DREJTËSISË DHE MINISTRIT TË FINANCAVE

Në mbështetje të nenit 102, pika 4, të Kushtetutës dhe të nenit 47, të ligjit nr. 10031, datë 11.12.2008, “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, të ndryshuar, ministri i Drejtësisë dhe ministri i Financave dhe Ekonomisë

UDHËZOJNË:

Në udhëzimin e përbashkët nr. 385/7, datë 28.6.2017, “Për caktimin e tarifave për shërbimet e ofruara nga Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor Privat”, bëhen këto ndryshime:

I. Në seksionin III:

1. Pika 2 riformulohet me këtë përmbajtje: “2. Vlera e tarifës fikse të shërbimit përmbarimor, kur titulli ekzekutiv përmban një detyrim monetar si kthim shume dhe/ose pagim detyrimi, përllogaritet si më poshtë:

a) Tabela e tarifave fikse përmbarimore në lek, sipas vlerave të detyrimit:

2. Pika 3 ndryshon me këtë përmbajtje: “3. Vlera e tarifës fikse të shërbimit përmbarimor, kur titulli ekzekutiv përmban një detyrim jomonetar dhe të pavlerësueshëm, përllogaritet në varësi të objektit të ekzekutimit si më poshtë:

a) Për reklamimin e një sendi të luajtshëm ose të paluajtshëm, vlera e tarifës fikse përllogaritet në masën e 1 page bazë minimale mujore.

b) Për lirimin dhe vënien në posedim të një sendi të paluajtshëm, vlera e tarifës fikse përllogaritet në masën e 2 pagave bazë minimale mujore, kur sendi nuk ka një vlerë monetare të përcaktuar për çmimin e shitjes sipas të dhënave nga regjistri i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme apo sipas vlerësimit të një eksperti të pavarur të caktuar nga gjykata dhe/ose përmbaruesi gjyqësor privat. Në rast se sendi i paluajtshëm ka një vlerë referuese për çmimin e shitjes së tij sipas të dhënave te zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme apo sipas vlerësimit të ekspertit, atëherë tarifa fikse përllogaritet në përqindje mbi vlerën e sendit, sipas tabelës së treguar në pikën 2 të këtij seksioni.

c) Për vënien në posedim të sendit të luajtshëm, vlera e tarifës fikse përllogaritet në masën e 1 page bazë minimale mujore kur sendi nuk ka një vlerë të përcaktuar për çmimin e shitjes. Në rast se sendi i luajtshëm ka një vlerë të përcaktuar për çmimin e shitjes në dokumentacionin e regjistruar apo ka një vlerë të përcaktuar, për të cilën ky send është regjistruar si barrë siguruese, atëherë tarifa fikse do të përllogaritet në përqindje sipas tabelës së parashikuar në pikën 2 të këtij seksioni.

d) Për marrjen e fëmijës dhe lejimin e së drejtës së vizitës, vlera e tarifës fikse përllogaritet në masën e 1 page bazë minimale mujore, ndërsa tarifa fikse që lidhet me ekzekutimin e masës së pensionit ushqimor, është një shumë e plotë që përputhet me normën minimale të detyrimit ushqimor, të përcaktuar me ligj.

e) Për organizimin dhe shitjen e sendit në ankand, vlera e tarifës fikse përllogaritet në masën e 1 page bazë minimale mujore;

f) Për zbatimin e një vendimi gjyqësor ose titulli ekzekutiv me objekt të pavlerësueshëm, nëpërmjet të cilit debitori duhet të përmbushë një detyrim të caktuar, vlera e tarifës fikse përllogaritet në masën e 1 page bazë minimale mujore.

4. Pika 4 ndryshon me përmbajtjen, si vijon: “4. Vlera e tarifës fikse të shërbimit përmbarimor, kur titulli ekzekutiv është vendim i gjykatës për sigurimin e padisë, përllogaritet si më poshtë:

a) Nëse vendimi për sigurimin e padisë përmban një detyrim monetar dhe vlera e padisë është deri në 500,000 lekë, tarifa është 1/4 e pagës bazë minimale mujore.

b) Nëse vendimi për sigurimin e padisë përmban një detyrim monetar dhe vlera e padisë është më shumë se 500,000 lekë deri në 2,000,000 lekë, tarifa është 1/2 e pagës bazë minimale mujore.

c) Nëse vendimi për sigurimin e padisë përmban një detyrim monetar dhe vlera e padisë është më shumë se 2,000,000 lekë, tarifa është një shumë e barabartë me 1 pagë bazë minimale mujore.

d) Nëse vendimi për sigurimin e një padie përmban një detyrim jomonetar ose vlera e padisë nuk është e përcaktuar, tarifa e subjektit përmbarimor është një shumë e barabartë me 1/3 e pagës bazë minimale mujore .”. 5. Pika 5 ndryshon me përmbajtjen si vijon: “5. Mbi vlerën e tarifës fikse të përllogaritur nga përmbaruesi gjyqësor sipas pikave 2, 3 dhe 4 të këtij seksioni, aplikohet TVSH-ja, sipas legjislacionit tatimor në fuqi.”.

6. Pika 10 dhe 11 e këtij seksioni, shfuqizohet.

II. Në seksionin IV bëhen këto ndryshime: 1. Pika 1 ndryshon me përmbajtjen si vijon: “1. Shpenzimet e tjera sipas nenit 525 të Kodit të Procedurës Civile përbëhen nga shpenzimet e nevojshme për kryerjen e veprimeve procedurale për ekzekutimin e titullit ekzekutiv, duke përfshirë: shpenzimet për administrimin e të dhënave të nevojshme për kryerjen e procedurave të ekzekutimit;

a) Shpenzimet për korrespondencën në lidhje me procedurën përmbarimore;

b) Shpenzimet në lidhje me transportin, magazinimin dhe ruajtjen e sendeve të sekuestruara ose pasurisë së sekuestruar;

c) Shpenzimet në lidhje me hapjen, inventarizimin, mbylljen, lëvizjen, prishjen dhe pastrimin e ambienteve ose subjekteve të tjera në proces ekzekutimi;

d) Shpenzimet në lidhje me caktimin e përfaqësuesit ligjor të palës debitore, shpenzimet e kryera për veçimin e pjesës takuese të palës debitore dhe shpenzimet për lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë së palës debitore;

e) Shpenzime në lidhje me publikimin e ankandit;

f) Shpenzimet e kryera për dorëzimin e barrës/ve siguruese;

g) Shpenzimet e ndihmës ligjore të përdorura nga subjekti përmbarues (brenda tarifave të përcaktuara nga udhëzimi i përbashkët i ministrit të Drejtësisë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatëve), me qëllim zgjidhjen e çështjeve ligjore, me objekt kundërshtim veprimesh përmbarimore dhe pavlefshmëri titulli ekzekutiv. Në rastet kur me vendim gjyqësor të formës së prerë konstatohet pavlefshmëria e veprimeve përmbarimore për shkak zbatimi gabim apo moszbatim të ligjit nga përmbaruesi gjyqësor privat, ky i fundit nuk mund të faturojë shpenzimin te kreditori. Nëse këto shpenzime janë parapaguar nga kreditori, subjekti përmbarues do t’ia rikthejë ato kreditorit;

h) Shpenzimet për veprimet procedurale pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, sipas tarifave zyrtare të miratuara në zbatim të legjislacionit në fuqi “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme.”.

2. Pika 4 ndryshon me këtë përmbajtje: “4. Për shpenzimet e parashikuara në pikën 1 të këtij seksioni, subjekti përmbarues lëshon faturë tatimore ndaj palëve kreditore apo debitore, e cila shoqërohet me kopje të dokumenteve të pagesave të lëshuara nga të tretët, dokumente të cilat shërbejnë për të dokumentuar shpenzimet e zbritshme të subjektit përmbarues, sipas legjislacionit në fuqi”.

3. Pika 5 ndryshon si vijon: “5. Shpenzimet përmbarimore të pagueshme nga subjekti përmbarues dhe të kryera në fazën e ekzekutimit të detyrueshëm, sipas masës dhe llojeve në zbatim të këtij udhëzimi, përpara përfundimit të ekzekutimit, përshkruhen në një akt përmbledhës, të emërtuar “Procesverbal për shpenzimet procedurale gjatë ekzekutimit”, duke bashkëlidhur faturat përkatëse. Pala debitore së cilës i ngarkohen këto shpenzime, ka të drejtë të njihet dhe të marrë kopje të këtij procesverbali.”.

III. Në seksionin VI, togfjalëshi “... iu shtohet edhe TVSH...”, zëvendësohet me togfjalëshin “... aplikohet TVSH…”.

IV. Zbatimi i udhëzimit dhe hyrja në fuqi “Për procedurat përmbarimore që kanë filluar dhe nuk kanë përfunduar përpara hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi, subjektet përmbaruese (persona juridikë apo fizikë) zbatojnë tarifat e përcaktuara në udhëzimin nr. 385/7, datë 28.6.2017, “Për caktimin e tarifave për shërbimet e ofruara nga Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor Privat”. Përjashtimisht, në rastet kur tarifat përmbarimore nuk janë parapaguar nga kreditori i procesit përpara hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi për shkaqe të përjashtimit ligjor, aplikohen tarifat fikse të parashikuara në këtë udhëzim.”.

Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

MINISTRI I DREJTËSISË

Etilda Gjonaj (Saliu)

MINISTRI I FINANCAVE DHE EKONOMISË

Arben Ahmetaj

Copyright © 2006 -2020ikub.al shpk, All Rights Reserved